Në mot, UT me konvikt studentor

Po realizohen punimet për ndërtimin e konviktit të ri në Tetovë. Në Ministrinë e Arsimit informojnë se konvikti, i cili do t’ju shërbejë nevojave të studentëve të Universitetit të Tetovës, sipas dinamikës së paraparë të punimeve ndërtimore dhe Marrëveshjes me firmën ndërtimore, duhet të përfundojë së ndërtuari në prill të vitit të ardhshëm, ndërkohë që vlera totale e këtij investimi kap vlerën 166.581.618 denarë, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon gjithashtu se ka përfunduar procedurat e prokurimit publik për zgjedhjen e kompanisë, e cila do të rinovojë dyshemenë me rrjetin e infrastrukturës si dhe rrugicat e hyrjes në kompleksin e shtëpisë së studentëve “Goce Delçev” në Shkup. Aktivitete përkatëse në terren do të nisin së shpejti, thonë në MASH.

“Lidhur me aktivitetet infrastrukturore të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës dedikuar shtëpive për strehimin e studentëve, Ju informojmë se për momentin janë duke u realizuar punimet për ndërtimin e konviktit të ri në Tetovë.

Ky konvikt i cili do t’ju shërbejë nevojave të studentëve të Universitetit të Tetovës, sipas dinamikës së paraparë të punimeve ndërtimore dhe Marrëveshjes me firmën ndërtimore, duhet të përfundojë së ndërtuari në prill të vitit të ardhshëm”, thonë në MASH. Në ndërkohë, nota mesatare, e cila doli nga vlerësimi i studentëve nga tre konvikte studentore të vendosura në Shkup, të cilat janë nën kujdesin e Konviktit të Shtetit “Shkup” (‘Stiv Naumov”, “Kuzman Josifovski- Pitu” dhe “Goce Delçev”), të cilët vlerësuan për kushtet dhe standardin jetësor – ishte 2.95 në shkallën prej 1 deri në 5, tregon hulumtimi i bëra nga ana e Forumit rinor të arsimit (FRA), e cila përfshiu rreth 300 studentë të cilët qëndrojnë në këto hapësira.

Buxheti i përgjithshëm vjetor i Konvikti shtetëror të studentëve “Shkup”, nga viti 2014 deri në vitin 2018 mesatarisht është 3.5 milionë euro. Prej tyre, vetëm 15 për qind ndahen për ushqim të studentëve, ndërsa 28 për qind janë për rrogat e të punësuarve. Pjesa tjetër është për mirëmbajtjen e konviktit studentor. Në MASH informojnë se të gjitha konviktet do t’i nënshtrohen renovimeve, ndërsa sigurojnë se ashtu sikurse në disa pjesë të konvikteve, edhe fazat tjera do të jenë me standarde evropiane dhe me kushte shumë më të mira sesa tani.

Shpenzimet ditore për përgatitjen e ushqimit kushtojnë 61 denarë për student – pra mëngjes, dreka dhe darka dhe në këtë shumë përfshihet edhe produktet e qumështit, mishit dhe pemëve. Norma për ushqim është 100 denarë (raport 20/20/40), por sipas hulumtuesve, ky raport është i pamjaftueshëm duke pasur parasysh kostot e larta.

Arsyeja që studentët më shumë qëndrojnë në konvikte është për shkak të çmimit të lirë. Përveç kushteve jo të mirë, në konvikte mungojnë hapësira për të mësuar si dhe hapësira për sport dhe aktivitete kulturore. Nga viti 2014 deri më 2018, KSHS “Shkup” kishte 193 marrëveshje për prokurorim publik në vlerë prej 4.5 milionë euro. Vlera më e lartë e blerjeve është në vitin 2016 me 1.4 milion euro, ndërsa më e ulëta me 540.000 euro në vitin 2018.