Në MPJ shënohet 230-vjetori nga themelimi i Departamentit të Shtetit

Falënderim për përkrahjen kyçe të cilën SHBA-ja ia jep vendit në realizimin e qëllimeve strategjike për anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe Bashkimin Evropian, ka shprehur sot shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku në prani të ambasadores amerikane Kejt Bërns solemnisht u shënua 230-vjetori nga themelimi i Departamentit amerikan të Shtetit.

Marketing

Në fjalimin e tij, ai u përqëndrua në marrëdhëniet bilaterale të bazuara në vlera të ndara dhe partneritet strategjik. E ka theksuar rolin e rëndësishëm të kolegëve nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilët gjatë 25 viteve të kaluara e kanë përkrahur dhe ndihmuar në tejkalimin e sfidave, me të cilat u ballafaqua vendi.

“Ka pasur momente kur miqtë dhe kolegët tanë nga Departamenti i Shtetit kanë luajtur rol kyç, duke na ndihmuar t’i tejkalojmë pengesat në rrugën tonë drejt ndërtimit të vendit dhe shoqërisë më të fuqishme. I falënderohemi SHBA-së që ishin në anën tonë gjatë gjitha këtyre viteve”, tha Dimitrov.

Ai e citoi edhe ish sekretarin amerikan të Shtetit, Henri Kisinxher: “Mungesa e alternativave pabesueshëm e kthjellon mendjen”.

“Kjo nuk do të thotë se në teori nuk ka alternativa, por në situatë kur mbi 80 për qind nga opinioni i Maqedonisë së Veriut, qytetarët tanë janë për hyrje në NATO, kjo do të thotë se si liderë politikë, nuk kemi alternativë për integrimet euroatlantike. Mbetemi tërësisht të përkushtuar në arritjen e këtij qëllimi dhe shpresojmë se deri nga fundi i këtij viti, dëshirojmë që kjo të ndodhë në Samitin në Londër në dhjetor ose fillim të vitit të ardhshëm, Republika e Maqedonisë së Veriut zyrtarisht të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Kjo është edhe një kontribut i përbashkët për stabilitetin rajonal dhe prosperitetin. Por, kjo po ashtu do të jetë edhe nxitje shtesë për përforcimin e përgjegjësisë sonë ndaj qytetarëve tanë dhe edhe një përkujtues se prosperiteti vjen nga demokracia dhe sundimi i së drejtës, me institucione përgjegjëse dhe mediume të lira”, tha Dimitrovi.

Ai iu falënderua SHBA-së për përkrahjen e tyre të vazhdueshme deri sot, duke i ndihmuar vendit dhe shoqërisë.

“Demokracia, rritja ekonomike dhe arsimi janë pjesë nga sferat ku e shohim zbatimin e suksesshëm të programeve për ndihmë teknike të USAID-it gjatë viteve”, tha Dimitrov.

Dimitrov dhe Bërns kanë hapur ekspozitë të fotografive të përzgjedhura, të cilat dëshmojnë për miqësinë e vazhdueshme mes dy vendeve nga vendoja e marrëdhënieve diplomatike deri sot.

Ambasadorja Bërns iu falënderua ministrit Dimitrov dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për bashkë-organizimin e kësaj ngjarjeje, duke theksuar, mes tjerash, se një çerek shekull të bashkëpunimit dhe përkrahjes nga SHBA-ja është demonstrim i përcaktimit të fuqishëm në realizimin e vizionit të përbashkët për shtet të sigurt dhe me prosperitet.

Në ngjarjen morën pjesë përfaqësues nga institucione shtetërore, joqeveritare, arsimore e tjera nga Republika e Maqedonisë së Veriut, nga Ambasada e SHBA-së, ish ministra të punëve të jashtme dhe ambasadorë, si dhe mysafirë tjerë të cilët me punën dhe angazhimin e tyre kanë kontribuar në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.