Ballina Lajme Kosovë Në mungesë të Muriqit, a është momenti i Albion Rrahmanit te Kosova?

Në mungesë të Muriqit, a është momenti i Albion Rrahmanit te Kosova?

Vevdat Muriqi nuk është i grumbulluar për ndeshjet që kombëtarja e Kosovës i luan në muajin tetor, pasi po vuan nga një lëndim.

Marketing

Për të zgjedhur se kush do ta zëvendësojë “piratin”, trajneri Franco Foda ka në dispozicion katër sulmues, njofton Klankosova.tv.

Finsik Asllani, Eliot Bujupi, Astrit Selmani e Albion Rrahmani janë katërshja që i ofron zgjedhje selektorit për formacionin startues.

Shumica e njohësve të futbollit, por edhe tifozëve, dëshirojnë që ish-sulmuesi i Ballkanit t’i fillojë të dyja përballjet nga minuta e parë.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli, në një prononcim për Klankosova.tv, deklaroi se pikërisht “bomberi” i Sparta Pragës, mund të jetë zgjidhja më e mirë për Fodën.

I këtij mendimi është edhe ish-futbollisti kampion i Kosovës me skuadrën e Prishtinës, Malsor Gjonbalaj.

“Do të jetë një hendikep për lojën në ajër te Kosova, ku Vedat Muriqi është i pakompromis. Megjithatë mua më pëlqen shumë Albion Rrahmani, mendoj se duhet ta nis takimin nga fillimi. Ai duket formë konsistente dhe ka një nuhatje më të madhe për golin”, i tha Klanit, ish-reprezentuesi i Kosovës.

Se ka ardhur koha që Rrahmanit t’i ngarkohet mbi supe, pesha e vijës së fundit sulmuese në Përfaqësuese, mendon edhe gazetari Kushtrim Reshitaj, sipas të cilit kualiteti që ka ky futbollist, e kanë lakmi edhe shumë shtete të tjera.

“Albionin e kam ndjekur nga afër sa ishte pjesë e kampionëve të Kosovës, por ndeshjet e tij i përcjelli herë pas here edhe tani, sidomos në Ligën e Kampionëve. Është një diamant i reprezentacionit shtetëror, prandaj kualiteti i tij sot më shumë se kurrë, i duhet trajnerit Foda. Jam i sigurt se një kapacitet të tillë ofanziv, e kanë lakmi plot shtete”, shprehet Reshitaj.

Kosova të shtunën më 12 tetor përballet me Lituaninë që luan si vendase, ndeshje kjo që fillon në orën 15:00, kurse tri ditë më vonë, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë arena ku jemi nikoqirë të Qipros, të cilën e kemi mposhtur në muajin shtator, 0-4.

Marketing
Exit mobile version