Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut tha se është duke inspektuar të gjitha dërgesat e ujit të importuar burimor nga Kosova, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit koliform në një mostër uji nga shteti fqinj, raporton Shërbimi maqedonas i Radios Evropa e Lirë.
Disa media në këtë vend publikuan edhe vendimin e agjencisë, sipas të cilit bëhet fjalë për mostra të ujit “Rugove”.
REL-i në Prishtinë kontaktoi pronarin e kësaj kompanie, Visar Kelmendi, i cili tha se shitjet në Maqedoninë e Veriut janë duke vazhduar.
“Ka qenë një problem që dy-tri javë me një provë të analizës… Pastaj janë marrë edhe dhjetë analiza të tjera të ujit në Maqedoni të Veriut, në Kosovë dhe në një shtet të tretë dhe është konfirmuar se nuk ka asgjë”, tha Kelmendi.
REL-i kontaktoi edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë në lidhje me këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.
Çka është bakteri koliform?
Bakteri koliform është organizëm i pranishëm në mjedis dhe në jashtëqitjet e të gjitha kafshëve me gjak të ngrohtë dhe njerëzve.
Bakteri koliform nuk mund të shkaktojë sëmundje.
Megjithatë, prania e tij në ujë të pijshëm tregon se organizmat që shkaktojnë sëmundje (patogjenët), mund të jenë në sistemin e ujit, thuhet në përshkrimin që bën Departamenti i Shëndetësisë i Shtetit të Uashingtonit.
Sipas tij, nëse bakteri koliform gjendet në një mostër uji, operatorët e sistemit të ujit punojnë për të gjetur burimin e ndotjes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Shkup tha se “nga secila dërgesë e ujit burimor dhe pijeve joalkoolike me origjinë nga Kosova, do të merren mostra laboratorike për testimin e mikroorganizmave, në përputhje me Rregulloren për kërkesat specifike, që kanë të bëjnë me kriteret mikrobiologjike për ushqim”.
Paralelisht, kjo agjenci tha se Maqedonia e Veriut ka intensifikuar kontrollet edhe për frutat dhe perimet e importuara nga të gjitha vendet, për të monitoruar mbetjet e pesticideve.
Ajo tha se produktet nuk do të lejohen në treg pa i pasur rezultatet që e konfirmojnë sigurinë e tyre.