Ministri Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), Jeton Shaqiri së bashku me kryetarin e Ohrit, Konstantin Georgieski morën pjesë në hapjen zyrtare të qendrës për shërbime publike – “Një pikë për shërbime”.
Me këtë Shaqiri theksoi se digjitalizimi i shërbimeve është proces tejet i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Sot në Ohër, po promovojmë qendrën ‘Një pikë për shërbime’. Ky është një investim direkt i Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe synojmë që kjo qendër të shndërrohet në një lokacion shumë të frekuentuar ku qytetarët e Ohrit do të marrin shërbimet e kërkuara. Për momentin ofrojmë 62 shërbime
të drejtpërdrejta, jemi ndërmjetësues për mbi 65 shërbime dhe ofrojmë mbi 800 informacione të nevojshme për marrjen e shërbimeve. Kjo është qendra e pestë me radhë që hapim pas atyre në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Manastir”, informoi ministri Jeton Shaqiri.
Ai më tej, në fjalën e tij tha se:
“Ne nuk do ndalojmë këtu. Planifikojmë të hapim qendra të ngjashme në të gjitha qytetet e vendit. Për momentin jemi në bisedime me Postën e Maqedonisë, në lidhje me këtë projekt, për të shfrytëzuar zyrat dhe kapacitetet e filialeve të Postës së Maqedonisë, ku si rrjedhojë do kemi mundësi të hapim zyrat tona ‘Një pikë për shërbime’ edhe në të gjitha Komunat e vendit”.