Në Parlament dorëzohet propozim ligji për amnisti

Partia e Janko Baçevit, “Maqedonia e Bashkuar” ka dorëzuar propozim-ligj për faljen e të gjithë pjesëmarrësve në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit. Ligjin e kanë dorëzuar deri tek deputetët e VMRO DPMNE-së, me të cilin kërkojnë lirimin dhe ndërprerjen e ndjekjes penale të deputetëve për ngjarjet e 27 prillit.

Marketing

Lidhur me propozimin e tyre, mbështetje presin edhe nga partitë shqiptare, me arsyetimin se falja në vitin 2001 për pjesëmarrësit në konfliktin e armatosur ka qenë për vepra edhe më të rënda.

Presim deputetët e VMRO DPMNE-së të fillojnë procedurën ligjvënëse në Kuvend pasi Rregullorja ia lejon këtë çdo deputetit, kuptohet nëse Mickoski është i sinqertë kur thotë se do të angazhohet për amnistinë e vëllezërve maqedonas dhe motrave tona maqedonase, që dergjen në burgun e Shutkës. Presim Ligji të votohet nga të gjithë deputetët – deklaroi Dragan Ugrinovski, “Maqedonia e Bashkuar”.

VMRO-DPMNE tashmë po konsultohet me ekspertë rreth formatit për Ligjin e amnistisë për ngjarjet e 27 prillit. Nuk e komentuan nismën e sotme të cilën ua dorëzoi Janko Baçevi.
Grupi jonë i ekspertëve të VMRO-DPMNE-së e përgatit ligjin.

Sapo të kemi informata më të hollësishme dhe ta përgatisin ashtu siç duhet dhe të jetë juridikisht i qëndrueshëm, do të informohen të gjitha mediumet për dorëzimin e ligjit në procedurë mëtutjeshme – u shpreh Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Për LSDM-në në pushtet amnistia është mision i pamundshëm.
Nuk do të ketë, e as që guxon të ketë amnisti për kriminelët të cilët kanë hyrë në mënyrë të dhunshme në Dhomën ligjdhënëse, në këtë tempull të demokracisë, duke tentuar me këtë rast që të vrasin një njeri – tha Konstadin Kostadinov, LSDM.

Ndryshe, amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar, paralajmëroi lideri i opozitës, Hristijan Mickoski. Angazhimi i tij për t’u falur të gjithë ata të cilët ishin pjesë e skenarit të përgjakshëm, duke përfshirë edhe pesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, bie ndesh me rekomandimet e BE-së.

Bashkimi në konstatimet për përparimin e vendit bëri të ditur se Maqedonia do të tregojë se angazhohet për sundimin e së drejtës, vetëm me një epilog gjyqësor për hyrjen e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.

Marketing