Në RMV sot filloi me punë Agjencia për Siguri Nacionale, DSK-ja shkoi në histori

Në Maqedoninë e Veriut sot ka filluar me punë Agjencia për Siguri Nacionale (ASN) dhe me këtë Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) ka shkuar në histori. Këtë e bëri të ditur drejtori i ASN-së, Viktor Dimovski në konferencën për media që u mbajt sot në Qeveri, transmeton Portalb.mk.

Marketing

“Sot, 1 shtator 2019, mund të ju kumtoj se prej sot Agjencia fillon me punë. Edhe pse për të punësuarit tjerë, e diela është ditë jopune, kjo nuk vlen edhe për Agjencinë për Siguri Nacionale”, tha Dimovski.

Siç bëri të ditur Dimovski, me nisjen me punë të ASN-së, përfundoi faza kyçe e reformave në fushën e sigurisë, e cila nisi me ndarjen e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe kalimin e saj në institucion të pavarur, si Agjenci për Siguri Nacionale (ASN).

“Me këtë përfundoi faza kyçe e reformave në fushën e sigurisë, dhe se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, e cila në të kaluarën u keqpërdor nga qëllime personale dhe grupore, përfundimisht shkon në histori. Them e keqpërdorur, sepse në periudhën paraprake, në kohën e pushtetit paraprak, qytetarët ishin viktimë e kapaciteteve, resurseve nga një pjesë e të punësuarve në Drejtori”, tha Dimovski.

Me këtë, siç njoftoi Dimovski në funksion të tërësishëm prej sot janë të gjitha kapacitetet dhe mjetet me të cilat do të veprojë kjo Agjenci. Ai u ka dëshiruar sukses të punësuarve në Agjenci, në mbrojtjen e sigurisë nacionale, e pavarësisë, e sovranitetit, e rendit kushtetues dhe e të drejtave themelore të qytetarëve.

Megjithëse me ASN-në përfundoi faza kyçe e procesit të reformave në siguri, të njëjtat nuk kanë përfunduar në tërësi. Siç tha Dimovski, ato do të duhet të dëshmohen me ballafaqimin me rreziqet ndërkombëtare.

Ai gjithashtu ka deklaruar se të punësuarit të cilët janë nga përbërja e kaluar e DSK-së, i janë nënshtruar rivetingut, duke u shqyrtuar baza e të dhënave e 14 institucioneve shtetërore. Kjo është bërë me qëllim që të verifikohen kualifikimet e tyre në fushën e sigurisë.

Ndarja e DSK-së dhe kalimi i saj në ASN erdhi si rezultat i publikimit të skandalit me përgjimet e paligjshme, të ashtuquajtura “bomba”.