Prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar hetimet për nxitje të urrejtjes dhe grindjeve dhe shpërndarje të simboleve që synojnë përmbysjen e rendit kushtetues të kryer në bashkëpunim.
Një burim tha për Top Channel se organi i akuzës nuk ka vendosur ende nëse për veprën tjetër të referuar nga policia atë të kalimit të paligjshëm të kufirit do të ketë apo jo procedim penal. Hetimi do të kryhet ndaj 12 personave, që gjatë të enjtes në mbrëmje u shoqëruan dhe u pyetën për thirrjet antishqiptare në fshatin Bularat. Të gjithë emrat e të dyshuarve i janë lënë mbi tavolinë Prokurorisë nga Antiterrori.
Përveç referimit në Prokurori për incidentin në fshatin Bularat, antiterrori, këtu në Policinë e Shtetit do të vazhdojë të jetë pjesë e hetimeve, përderisa bëhet fjalë për vepra kundër rendit kushtetues, shkruan Top Channel.
Mes veprimeve të antiterrorit po tentohet të hidhet dritë nëse udhëtimi i dhjetëra shtetasve grekë në ceremoninë e varrimit t Kacifas ishte apo jo i sponsorizuar. I gjithë ky dyshim vjen nga fushata në rrjetet sociale përpara ceremonisë të këqyrura nga antiterrori, ku bëhej thirrje për një udhëtim në Bularat që më pas do të rimbursohej. Njëkohësisht si prova materiale janë të sekuestruara flamuj me mbishkrimin Vorio Epiri si edhe filmimet e agjentëve në të cilat u hodhën thirrje antishqiptare.
Pas dhjetëra orëve filmime dhe vëzhgime të antiterrorit të autorizuara nga prokuroria, të hënën organi i akuzës do të kërkojë angazhimin e përkthyesve të licencuar nga Ministria e Drejtësisë për të përkthyer nga greqishtja në shqip parullat e hedhura në Bularat.
Por në Greqi edhe pas ceremonisë kanë vazhduar tubimet kundër shqiptarëve. Një grup personazh me parullën “Kacifas je i pavdekshëm”, bërtisnin do e marrim “Korçën dhe Sarandën”, do e djegim Tiranën”.