







Shkup-Prishtinë-Tiranë, 6-7 dhjetor 2021 – Në tri kryeqendrat shqiptare Shkup – Prishtinë – Tiranë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë në Tiranë, në bashkëpunim me Mehmet Prishtinën, e shënuan 100-vjetorin e Hasan Prishtinës si Kryeministër i Shqipërisë.
Aktiviteti kryesor ishte ekspozita e përbashkët me temë “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”, e cila fillimisht u prezantua në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në Shkup, ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Ekspozita në fjalë u prezantua edhe në galerinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, me pjesëmarrjen aktivistëve dhe familjeve të shquara atdhetare nga Kosova. Fjalë rasti patën drejtori i Institutit, Skender Asani, drejtori i Arkivave shqiptare Ardit Bido, Mehmet Prishtina, etj. Ata paraqitën dromca nga jeta dhe veprimtaria e madhe kombëtare e kryeministrit të parë të Shqipërisë – Hasan Prishtina, i cili vinte nga trojet shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve artificial të Shqipërisë.
Ndërsa, më 7 dhjetor, aktiviteti u shtri në Muzeun Historik Kombëtar të Republikës së Shqipërisë në Tiranë, e cila drejtohet nga studiuesi Dorian Koçi, ku edhe u prezantua kjo ekspozitë në prani të personave eminentë dhe mediave të shumta shqiptare.
Njëkohësisht, gjatë këtij eventi në Tiranë u nënshkrua edhe një aneks marrëveshje ndaj Memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (nënshkruar më 15.12.2017 në Pogradec). Aneks marrëveshja e nënshkruar mes drejtorëve Bido dhe Asani, parasheh që të dyja palët të bashkëpunojnë në realizimin e projekteve hulumtuese disavjeçare, si: “Historia e trevave lindore shqiptare” dhe “Zhvillimet kulturore e historike të shqiptarëve të Maqedonisë gjatë shekullit XIX-XX”, të cilat udhëhiqen nga ITShKSh–Shkup.
Ndryshe, atdhetari Hasan Prishtina ishte kryeministri i tetë me radhë i shtetit shqiptar, në kohë të turbullta të historisë, i cili në këtë post qëndroi nga 7 deri më 12 dhjetor të vitit 1921.