Në Shqipëri hyn në fuqi regjimi i “burgut të egër”

Në Shqipëri afër 270 të dënuar, të dyshuar apo të shpallur fajtorë si pjesëtarë të grupeve kriminale, pritet t’i nënshtrohen së shpejti një regjimi special që do t’i mbajë ata të izoluar duke shmangur mundësinë e komunikimeve me jashtë.

Marketing

Masat speciale të cilat hyjnë zyrtarisht në fuqi nesër, ishin pjesë e diskutimeve në një konferencë të posaçme të organizuar nga ministria e Drejtësisë me Prokurorinë Antimafia të Italisë, e cila do të ofrojë ndihmë për zbatimin e tyre. Regjimi special, i përfshirë në ndryshimet e Kodit Penal, është bazuar pikërisht në modelin italian dhe parashikon që të dënuarit të mbahen në izolim dhe nën mbikëqyrje të posaçme për një periudhë të caktuar kohe.

Drejtuesi i antimafias italiane Federico Cafiero de Raho, shpjegoi se një masë e tillë “çon në dobësimin e organizatave kriminale, ndërsa shërben dhe si sinjal ndryshimi për qytetarët, për t’u dhënë dhe atyre më shumë besim te institucionet”.