Shqipëria ka humbur një pozicion në renditjen globale të progresit social.
Kështu, në indeksin e progresit social 2018 Shqipëria renditet në vendin e 53-të ndër 146 ekonomi të botës, nga vend i 52-të i vitit të kaluar. Gjithsesi në raport me veten, Shqipëria ka bërë hapa para në këtë raport, duke qenë se është rritur në pikëzim. Në raport me rajonin, vetëm Maqedonia është më keq se ne.
Indeksi i progresit social është i vetmi mekanizëm për matjen e zhvillimit të një shoqërie, me fokus të veçantë te kriteret jo-ekonomike, paçka se këta elementë janë të pashmangshëm në këtë prizëm.
Progresi shoqëror është vendosur në fokus të shumë qeverive të globit dhe ky indeks duhet të shërbejë si një manual reference për politikbërësit. Indeksi përpilohet mbi bazën e shumë kritereve, si mirëqenia, siguria, nevojat bazë të njeriut, apo edhe shanset e barabarta apo përfshirja.
Në profilin dedikuar Shqipërisë mund të vëmë re një panoramë më gjithëpërfshirëse, me pikëzim në secilin prej nën-indikatorëve, raporton “scan”.
Në indeksin e nevojave bazë njerëzore, Shqipëria renditet e 58-ta në botë, ndërsa në atë të themeleve të mirëqënies e 40-ta në botë. Në atë të shanseve, jemi të 73-tët në botë, duke regjistruar edhe performancën tonë më të keqe.
Kjo do të thotë se, Shqipëria vlerësohet si një vend që i ka bazat për një shoqëri të zhvilluar, por që shanset që i jepen kësaj shoqërie janë të kufizuara, duke bërë që për rrjedhojë edhe zhvillimi i shoqërisë shqiptare të ngecet në vend. Gjithsesi, Shqipëria performon bindshëm më mirë se potenciali që ka. Duke qenë se në drejtim të PBB për frymë është e 73-ta në botë ndër 146 vende, dhe në atë të progresit social e 53-ta, do të thotë se shoqëria shqiptare performon më mirë se çfarë i jep mundësi ekonomia.