Sot në Suedi janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet e përgjithshme, teksa pritet që partia me qasje kundër migrimit të shënojë rritje.
Partia Demokratët e Suedisë, pritet që të fitojë 20 përqind të rezultatit përfundimtar, bazuar në disa sondazhe paraprake.
Ndërkohë, as partia që aktualisht është në pushtet, Social Demokrate dhe as partia e qendrës së djathtë, nuk pritet të fitojnë shumicën e votave.
Kryeministri, Stefan Lofven ka akuzuar Partinë e Demokratëve të Suedisë për ekstremizëm dhe ka thënë se vota për të njëjtën është e “rrezikshme”.
Imigrimi ka qenë tema kyçe e fushatës për këtë proces zgjedhor.
Partia kundër migrimit pati dyfishuar ulëset në zgjedhjet e vitit 2014 dhe pritet që ta bëjë të njëjtën gjë edhe në këto zgjedhje.
“Forcat e errëta janë duke u mobilizuar në Suedi”, ka thënë Lofven në fjalimin e tij të fundit ditën e shtunë.
“Forcat e urrejtjes janë duke u mobilizuar në Suedi dhe duke nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Lideri i Demokratëve të Suedisë, Jimmie Akesson, ka kundërshtuar se Suedia “ka qenë shtet ekstrem në disa mënyra dhe jo të paktën për migrimin”, dhe se plani i tij për të pranuar më pak migrantë do të cilësohet “politikë normale në pjesën tjetër të Evropës”.