Në Universitetin e Tetovës kompania Ecolog International i prezantoi ofertat për trajnim dhe punësim të studentëve (foto)

Kompania prestigjioze ndërkombëtare Ecolog International, sot në hapësirat e Universitetit të Tetovës, para absolventëve shpalosi ofertat dhe mundësitë e trajnimeve që kjo kompani i ofron për studentët, të cilët janë në përmbyllje të studimeve.

Marketing

Përgjegjësi për rekrutim i kësaj kompanie, z. Mislim Hasipi, gjatë prezantimit të kompanisë Ecolog International, shprehu falënderime për drejtuesit e Universitetit të Tetovës, të cilët çdo vit i përgjigjen pozitivisht kërkesës së Ecolog-ut për takime të përbashkëta me absolventët.

Ai tha se çdo student, i cili është në përfundim të studimeve, ka një ëndërr. Kompania Ecolog, si një kompani prestigjioze botërore që në gjirin e vet ka një numër të madh të ndërkombëtarëve dhe njerëz të komuniteteve të ndryshme, e cila vepron në më shumë se 30 vende të ndryshme të botës, me projekte në sfera të ndryshme, fokusin kryesor të saj e ka te burimet njerëzore që i ofrojnë institucionet akademike dhe pikërisht kjo është mundësia më e mirë që çdokush të gjejë një vend pune në një fushë të caktuar dhe nesër të jetë pjesë e kësaj kompanie. “Kompania Ecolog nuk është se ka ndonjë pako të caktuar dhe të limituar të profileve që i kërkojmë, por kryesisht janë fusha si ajo e keteringut, ku bëjnë pjesë industria ushqimore, është pjesa e financave, pra studentët që kanë njohuri bazë për financat, ndërsa kërkesa kryesore është njohja e gjuhës angleze. Të gjitha profilet fillojnë nga baza e administratorëve, domethënë ata gjatë angazhimit nuk është se menjëherë do të duhet të ballafaqohen me përgjegjësi të mëdha dhe me llogaridhënien, por do të kalojnë një periudhë kohore, që ne e quajmë periudha provuese, në të cilën paralelisht do të trajnohen dhe me kalimin e kohës, pas një viti përvojë pune në kompani, ata do të fillojnë të ballafaqohen edhe me përgjegjësitë dhe llogaridhënien” – tha z. Mislim Hasipi.

Ai po ashtu tha se kompania Ecolog International, gjatë shqyrtimit të kërkesave të tregut të punës, u jep përparësi ish-punëtorëve dhe kuadrove të universiteteve, sepse nga universitetet përgatiten kuadro të mirëfillta për industrinë.

Gjatë këtij prezantimi edhe absolventët e Universitetit tonë shprehën interesim për mundësitë e ofruara nga kompania Ecolog, mënyrën e aplikimit për punë, kriteret që duhet t’i plotësojnë për t’i punësuar, ndikimin e CV-së së aplikuesve si dhe shumë pyetje të cilat kishin të bëjnë me prezantimin.