Në Universitetin e Tetovës sot u promovuan dy veprat e autorëve britanikë James Pettifer dhe Miranda Vickers

Në Universitetin e Tetovës sot u promovuan dy veprat e autorëve të njohur britanikë James
Pettifer dhe Miranda Vickers, ‘Liqenet dhe perandoritë në historinë e Maqedonisë – kontestimi i ujërave’ i cili është i përkthyer nga drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor- UT, Mr. Sc. Donika Kamberi si dhe libri ‘Çamëria dhe Greqia: e shkuara dhe e tashmja’. Të dyja veprat paraqesin një kontribut të çmuar në historiografinë e rajonit dhe ofrojnë një bazë të fortë për studiuesit, akademikët dhe të gjithë të interesuarit për historinë ballkanike. Në këtë promovim ishin të pranishëm, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z.Ali Ahmeti, Zëvendësministri i
Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Lulzim Aliu, Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Faton Ahmeti, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, prorektorë, dekanë, hulumtues shkencorë, historianë, njohës të çështjeve politike në rajon, profesorë dhe studentë.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universiteti i Tetovës, e ka
mbështetur pa hezitim kërkesën e Qendrës për Paqe për ta përkthyer këtë vepër, për shkak të rëndësisë jo vetëm për historinë e rajonit të Prespës, por edhe për rolin që këto liqene dhe territore kanë pasur në kontekstin e perandorive që kanë shtrirë ndikimin e tyre këtu në një kohështrirje historike nga Bizanti, te Perandoria Osmane, Luftërat Botërore, e deri në ditët e sotme.
“Libri përshkruan me hollësi jo vetëm betejat politike dhe territoriale, por edhe ato ekologjike dhe kulturore, duke treguar përballjen e vazhdueshme për të kontrolluar ujërat dhe hapësirat përreth tyre. Liqenet e Prespës dhe Ohrit nuk janë thjesht burime natyrore, por përfaqësojnë një trashëgimi të pasur, që ka ndikuar thellësisht në formimin e historisë dhe identitetit të popujve të Ballkanit.
Faktet dhe dokumentet që autorët kanë sjellë në këtë vepër janë të rralla dhe të veçanta. Ato nxjerrin në pah episode të historisë sonë që shpesh nuk i gjejmë të dokumentuara në arkivat tanë. Kjo e bën këtë libër të domosdoshëm për studiuesit, historianët, dhe të gjithë ata që janë të interesuar për historinë komplekse të rajonit tonë. Përkthimi në gjuhën shqipe i kësaj vepre historike na mundëson që këto fakte të bëhen të kapshme për lexuesit shqiptarë, duke kontribuar në pasurimin e literaturës historike në gjuhën tonë dhe duke zgjeruar horizontet e kërkimit shkencor. ” – tha mes tjerash Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në RMV, Prof. Dr. Lulzim Aliu u shpreh se ndihet i
privilegjuar që merr pjesë në promovimin e dy veprave akademike që trajtojnë aspekte të rëndësisë historike dhe gjeopolitike të rajonit tonë. Ai tha se Universiteti i Tetovës, gjithmonë ka qenë një qendër e dijes dhe e përparimit intelektual dhe sot duke qenë pjesë e kësaj ngjarjeje, kemi mundësinë të reflektojmë mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkulturor dhe të shkëmbimit të njohurive. ‘Librat e autorëve sjellin një kontribut të rëndësishëm për të kuptuar më mirë historinë e ndërlikuar të rajonit tonë dhe për të hapur rrugë për një dialog të mëtejshëm në kuadër të paqes dhe bashkëpunimit. Këto vepra na ndihmojnë të kuptojmë jo vetëm të kaluarën por edhe sfidat e së tashmes dhe mundësitë për një të ardhme më të mirë, të bazuar në respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës është gjithmonë e angazhuar për të mbështetur
iniciativa që promovohet edukimi dhe shkenca, duke përfshirë aktivitete të tilla që ndihmojnë në avancimin e dijes dhe rritjen e ndërgjegjësimit kulturor’ – deklaroi Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në RMV, Prof. Dr. Lulzim Aliu.
Ndërsa, Mr. Sc. Donika Kamberi, përkthyesja e librit, njëkohësisht drejtoreshë e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor ndau mendimet e saja mbi rëndësinë e këtij përkthimi për publikun shqiptar. Ajo theksoi se ky libër ofron një perspektivë të re mbi historinë e Maqedonisë së Veriut dhe se përkthimi ka për qëllim t’i bëjë këto informacione të qasshme për më shumë lexues.
Historiani Prof. Dr. Dalibor Jovanovski, e theksoi rëndësinë e këtij studimi në kontekstin e kuptimit të marrëdhënieve historike dhe kulturore që e kanë formësuar vendin tonë. Ai diskutoi mbi ndikimin e liqeneve si burime jetësore dhe si faktorë kyç në zhvillimin e civilizimeve të ndryshme që kanë ekzistuar në këtë rajon.
Autorët e librit, James Pettifer dhe Miranda Vickers, e falënderuan Universitetin e Tetovës për mbështetjen në realizimin e këtij përkthimi dhe për mundësinë që ky studim të arrijë te një audiencë më e gjerë. Ata shprehën entuziazmin e tyre për bashkëpunimin me studiues të tjerë  duke theksuar interesin e madh për historinë e Maqedonisë së Veriut dhe për rolin që liqenet luajnë në këtë kontekst. Promovimi i këtij libri është një hap i rëndësishëm në nxitjen e dialogut mbi vlerat kulturore dhe historike të rajonit, duke inkurajuar kështu studiuesit dhe lexuesit të angazhohen më shumë në këtë fushë. Universiteti i Tetovës gjithmonë ka shërbyer si platformë për prezantimin e këtyre studimeve të rëndësishme që pasurojnë njohuritë për historinë rajonale dhe nxisin dialogun akademik.

Marketing