Në Universitetin e Tetovës u promovua gjenerata e absolventëve e vitit akademik 2020/2021
Me organizimin e ceremonisë së hedhjes së kapelave, Universiteti i Tetovës në sheshin e Rektoratit,
më 10 korrik 2021, e promovoi gjeneratën e absolventëve të vitit akademik 2020/2021. Në këtë ditë
të shënuar për absolventët e Universitetit tonë, përveç udhëheqësve më të lartë të Universitetit, të
pranishëm ishin edhe prindërit e tyre, familjarë, si dhe shumë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare.
Ceremoninë e hedhjes së kapelave të absolventëve të Universitetit të Tetovës, me prezencën e tyre e
nderuan edhe shumë personalitete të tjera të jetës shoqërore dhe publike.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, absolventëve me fjalë rasti ju drejtua
zëvendëskryeministri i parë i vendit tonë, Artan Grubi. Sipas tij, suksesi i arritur nga ana e
absolventëve është fryti i sakrificës, përpjekjeve dhe vendosmërisë së shumë pishtarëve të dijes, për
të ruajtur themelet e arsimit në gjuhën amtare në Republikën tonë. “Kënaqësi e veçantë të shikosh
se si edhe një gjeneratë e tempullit tonë të dijes, Universitetit të Tetovës, e përmbyll me sukses
rrugëtimin e studimeve. Suksesi i arritur nga ana e tyre është fryti i sakrificës, përpjekjeve dhe
vendosmërisë së shumë pishtarëve të dijes për të ruajtur themelet e arsimit në gjuhën amtare këtu në
vendin tonë. Sot, 20 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, me krenari konstatojmë, që një ëndërr, një
iniciativë e guximshme, por njëkohësisht shumë e domosdoshme, është shndërruar në vatër nga ku
dalin kuadro që të zbardhin fytyrën, dhe me dijen e tyre kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë.
Përgëzime për punën profesionale të gjithë stafit akademik të UT-së! Suksese dhe karrierë të begatë
për të gjithë absolventët!” – tha zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, z. Artan Grubi.
Si studenti me mesatare më të mirë i kësaj gjenerate u dallua absolventi i Fakultetit të Shkencave të
Mjekësisë, Drilon Miftari. Ai, para kolegëve të tij absolventë dhe të pranishmëve të tjerë në këtë
ngjarje, u drejtua me një fjalim, duke evokuar kujtime nga koha e studimeve dhe njëherësh i
përgëzoi të gjithë absolventët për mbarimin me sukses të studimeve të tyre. “Në veçanti,
faleminderit këtij Universiteti, që na hapi dyert dhe na mundësoi jetësimin e ëndrrës tonë, këtu duke
bashkangjitur edhe stafin udhëheqës, profesorët dhe asistentët, të cilët nuk u lodhën duke na
udhëzuar në rrugën e duhur. Këtij Universiteti nuk mund t’ia paguajmë hakun përveç duke dhënë
maksimumin tonë, për ta ngritur atë sa më lartë, duke dhënë kontributin tonë, në shtetin tonë. Më
kujtohet kur para 6 vitesh i fillova studimet në mjekësi dhe pyetja e vetme që kisha në kokë ishte se,
kur do të vijë fundi? Aso kohe, kjo periudhë dukej sa e gjatë aq e pamundur. Por, koha kaloi sa hap
e mbyll sytë dhe, ashtu si çdo maratonë që ka fillimin, fundin dhe garuesit e vetë, edhe këto studime
kishin fillimet dhe përfundimin e tyre dhe natyrisht garuesit – ne studentët. Për pak kohë, secili nga
ne do të dojë ta kthejë kohën pas dhe ta shijojë përsëri epitetin student, por në fakt një mjek dhe çdo
profesionist i fushës në të cilën ka studiuar është çdoherë student”- u shpreh Drilon Miftari.
Fjalimin kryesor dhe përmbyllës të kësaj ceremonie e mbajti Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof.
Dr. Vullnet Ameti. Ai, fillimisht në emër të Universitetit të Tetovës dhe në emrin e absolventëve të
kësaj gjenerate shprehu gëzimin e përbashkët që pas dy vitesh përsëri e organizojmë njërën prej
ngjarjeve kryesore në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe. “Pandemia globale Covid
-19, bëri që mbarë bota ta ndryshojë rrjedhën jetësore, riorganizimin e punës së institucione, me të
vetmin qëllim – mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e përhapjes masive të virusit Kovid-19. Si
pasojë e krizës globale shëndetësore dhe të masave kufizuese për organizimin e aktiviteteve
publike, ne nuk arritëm që vitin e kaluar ta organizojmë absolventiadën për të diplomuarit në vitin
akademik 2019/2020. Prandaj, sot le t’u shprehim falënderimin dhe mirënjohjen qindra
absolventëve tanë për mirëkuptimin e tyre dhe vlerësimin e drejtë të situatës së përgjithshme. Vlen
të theksohet se, Universiteti i Tetovës, përmes Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, stafit
akademik, mjekëve tanë, që në ditët e para të shpalljes së pandemisë u angazhuan në vijën e parë të
betejës kundër armikut të padukshëm. Edhe dymbëdhjetë njësitë tjera akademike, përkatësisht
fakultetet tona, kontribuuan në forma të ndryshme, duke organizuar aktivitete online për
sensibilizimin e opinionit publik, për t’i respektuar masat kundër përhapjes së Covid – 19. Ndaj,
edhe sot, në këtë ngjarje madhështore, t’u shprehim mirënjohjen e pakufishme mjekëve – heronjve
tanë, për sakrificën, përkushtimin dhe luftën e pakompromis ndaj murtajës së këtij
shekulli. Ndërkaq, sot, falë përmirësimit të gjendjes epidemiologjike, lehtësimit të masave, por
gjithnjë në zbatim të protokollove të autoriteteve shëndetësore, absolventët tanë, mjekë, inxhinierë,
historianë, pedagogë, psikologë, juristë, ekonomistë e gjuhëtarë të së ardhmes, të cilët solemnisht e
përmbyllin një nga periudhat më të bukura të jetës dhe së bashku me prindërit, familjarët dhe
profesorët, festojnë për suksesin e tyre të përbashkët”- tha me këtë rast Rektori i UT-së, Prof. Dr.
Vullnet Ameti.
Po ashtu, në fjalën e tij, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti përcolli disa mesazhe për të gjithë të
pranishmit në këtë eveniment, e në veçanti për prindërit dhe absolventët: “Të nderuar miq, të gjithë
e dimë se rruga drejt dijes kurrë nuk ka qenë e lehtë, madje po të ishte e tillë, sakrifica Juaj si
prindër dhe mundi i fëmijëve Tuaj nuk do të përjetohej kaq thellësisht, siç e përjetojmë sot
bashkërisht. Por, ndjesia e triumfit të merituar vjen gjithmonë pas punës së devotshme, pas netëve
pa gjumë dhe pas ditëve të kaluara në kërkim të diturisë. Ky institucion arsimor – shkencor, gjatë
gati tri dekadave ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm për edukimin, arsimimin e
brezave, por ka qenë dhe do të mbetet fortesa historike e kombit tonë. Të nderuar prindër,
absolventët tanë dhe bijtë Tuaj, me diplomimin e tyre në Universitetin e Tetovës, janë dëshmia më e
madhe e seriozitetit të këtij institucioni, që me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë synon progresin
kolektiv në botën e shkencës dhe aspiron drejt një të ardhmeje të ndritur për këta emra, që herët ose
vonë, do të dëgjohen si storje suksesi. Të nderuar absolventë, kolegë të ardhshëm, Ju po e
përmbyllni kapitullin Tuaj të jetës që për shumë studentë përpara dhe pas Jush do të mbetet më i
lumturi dhe më vendimtari në vitet e karrierës që ju pret, e për të cilën shpresojmë dhe besojmë se
do të jetë e mbushur me suksese, me të cilat do të krenohet edhe Universiteti i Tetovës, me të cilin
duhet të krenoheni edhe Ju, për formimin profesional dhe kulturën e përgjithshme që e keni
përfituar në auditorët e tij. Si Rektor i Universitetit të Tetovës, jam plotësisht i bindur në aftësitë
Tuaja për të filluar karrierën profesionale. Sikurse Ju, edhe qindra e mijëra të rinj para Jush,
zgjodhët për të studiuar në Universitetin e Tetovës, ndoqët me sukses rrugën e arsimimit dhe
edukimit dhe në këtë mënyrë jeni bërë pjesa më vitale, simbolika dhe shprehja më madhështore, që i
jepni jetë Universitetit tonë. Ju falënderojmë të gjithëve për këto vite të bukura që kaluam së bashku
dhe do të doja t’ju them se e përjetojmë këtë moment kaq madhështor, sikurse Ju dhe prindërit tuaj
të nderuar, të cilët sakrifikuan dhe kontribuuan për të ardhmen e përbashkët të kësaj shoqërie, e cila
në krye me Ju, nuk ka se si të mos jetë e ndritshme dhe në krye me Ju nuk ka se si të mos jetë
inspirim për gjeneratat që do të vijnë. Në fund, në emrin tim dhe në emër të Universitetit të Tetovës,
ua përcjell urimet vëllazërore të gjithë Juve, që na keni nderuar sot, në këtë ditë solemne e në këtë
gëzim të përbashkët, të përmbylljes me sukses të studimeve të vitit akademik 2020/2021” – kështu e
përfundoi fjalën e tij Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektori i Universitetit të Tetovës.
Më pas, me thirrjen e Rektorit për të bërë edhe sa më të bukur këtë manifestim, në sheshin e
Rektoratit, diku rreth 1000 mijë absolventë i hodhën kapelat e tyre, duke shënuar një nga ngjarjet
më të bukura në karrierën e tyre gjatë studimeve. Ceremonia u përmbyll me një program artistik nga
këngëtarja e njohur tetovare Elita Ziberi.