Në Universitetin e Tetovës u shënua 30-vjetori i ligjëratave të para

Universiteti i Tetovës sot e shënoi një nga datat më të rëndësishme në historinë e tij – 17 Shkurtin, ditën kur në vitin 1995 u mbajtën ligjëratat e para në këtë institucion të arsimit të lartë.
Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, për të nderuar sakrificën e tij për arsimin në gjuhën shqipe. Më pas, udhëheqësit e universitetit e vizituan varrin e themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, duke vlerësuar kontributin e tij jetik në themelimin dhe zhvillimin e këtij universiteti, më pas e vizituan edhe muzeun historik në fshatin Poroj, ku u zhvilluan ligjëratat e para në vitin akademik 1994/95.
Në ceremoninë solemne që u mbajt në rektorat, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universiteti i Tetovës u ngrit mbi idealin e lirisë dhe barazisë, duke u bërë një vatër e fuqishme e dijes, kulturës dhe zhvillimit shoqëror.
“Ky universitet nuk është vetëm një institucion arsimor, por edhe një simbol i qëndresës dhe vullnetit tonë për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ishte fryt i përpjekjeve të vazhdueshme të intelektualëve, profesorëve dhe studentëve që nuk u dorëzuan para sfidave dhe pengesave, por vazhduan rrugën e tyre me bindjen se e ardhmja e ndritur e kombit tonë do të vinte përmes dijes dhe arsimit. Me shumë merita përmendim me respekt dhe mirënjohje themeluesin dhe Rektorin e parë historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili me vizionin dhe guximin e tij ishte frymëzimi dhe udhërrëfyesi i kësaj kauze madhore. Ai, me përkushtimin e tij të palodhur, e shndërroi Universitetin e Tetovës në një realitet të prekshëm, duke u hapur rrugë brezave të ardhshëm për të ndjekur arsimin e lartë në gjuhën shqipe.” – tha mes tjerash, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani në referatin e tij theksoi rëndësinë e kësaj date si një simbol i rezistencës dhe përkushtimit për arsimin në gjuhën shqipe, duke vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan për themelimin e UT-së. “Sot, jemi mbledhur për të përkujtuar jo vetëm një ngjarje, por një vizion që u bë realitet, një rrugëtim që sfidoi kohën dhe një mision që mbijetoi për të ndriçuar brezat e ardhshëm. Arsimi nuk është thjesht një përpjekje për dije, por një gurthemel i lirisë, i përparimit dhe i dinjitetit kombëtar. Universiteti i Tetovës nuk është vetëm një institucion akademik; ai është një dëshmi e palëkundshme e një populli që kurrë nuk hoqi dorë nga e drejta për të mësuar dhe për të ëndërruar. Tridhjetë vite më parë, ai lindi nga një domosdoshmëri historike, u ngrit mbi sakrificën e individëve të guximshëm dhe mbijetoi si simbol i qëndresës dhe i shpresës. Të gjithë universitetet në botë kanë një histori, por pak prej tyre kanë një histori të tillë sfidash dhe triumfesh si kjo. Në çdo gur të këtij institucioni janë gdhendur përpjekjet e atyre që nuk u dorëzuan, e atyre që besuan se dijes nuk mund t’i vendosen kufij. Kjo është një histori që nuk flet vetëm për të kaluarën, por që na udhëzon drejt së ardhmes.” – u shpreh mes tjerash dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Për kontributin e dhënë në kohë shumë të vështira, Universiteti i Tetovës i nderoi me pllakate mirënjohjeje gjashtë dekanët e parë të Universitetit të Tetovës: Prof. Dr. Abdulla Aliu – dekan i parë i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Mixhait Reçi – dekan i parë i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Hisen Reçi – dekan i parë i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, Prof. Dr. Rahmi Tuda – dekan i parë i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Ismail Hoxha – dekani i parë i Fakultetit të Arteve dhe Prof. Dr. Masar Kodra – dekan i parë i Fakultetit Filozofik.
Po ashtu, pllakate u ndanë edhe për nikoqirin e shtëpisë ku u nënshkrua akti i themelimit të Universiteti të Tetovës, për të ndjerin Haxhi Bari Ganiu si dhe për imamin e atëhershëm të xhamisë së fshatit Poroj, hoxhën e ndjerë Elmaz Qamili.
Universiteti i Tetovës, që nga themelimi, ka qenë një vatër e rëndësishme e dijes dhe kulturës për shqiptarët në rajon, duke u zhvilluar në një institucion modern që vazhdon të ofrojë arsim cilësor për brezat e rinj. Ky aktivitet u përmbyll me një pikë artistike nga Florentina Abazi dhe Abdulla Xhaferi.

Marketing