Në Universitetin e Tetovës u shënua Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin

Me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimipër Autizmin, Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, sot organizoi tryezë të rrumbullakët. Kjo ditë synon ta rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me të. Sipas hulumtuesve dhe shkencëtarëve të kësaj sfere, njerëzit autikë zakonisht kanë prirje të veçanta në lëmenj të ndryshëm, prandaj inkurajimi dhe përkrahja për t’i zhvilluar më tej aftësitë e tyre ndikon pozitivisht në largimin e energjisë negative që mund të kenë ata.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, në fjalën e tij u shpreh se Universiteti i Tetovës është i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan të ndihmojnë me investime, me qëllim që të krijohen kushte të ndërlidhjes së teorisë me praktikën dhe studentët tanë të jenë më afër tregut të punës. Me këtë rast, e falënderoi Shoqatën Arsimi nga Zvicra, e cila e ka mbështetur vazhdimisht Fakultetin Pedagogjik. “Një bashkëpunim të suksesshëm në këtë drejtim e kemi me Shoqatën Arsimi nga Zvicra, shoqatë kjo e cila që nga viti akademik 2014/2015 e ka mbështetur vazhdimisht Fakultetin Pedagogjik, kryesisht programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit, por edhe programet tjera studimore. Kjo ndihmë përbëhet nga libra shkencorë profesionalë, të cilat që nga kjo javë do të jenë në bibliotekën tonë dhe do të jenë të qasshme për të gjithë studentët, 2 makina të shkrimit të Brajlit, 2 kamera për incizim të orëve mësimore, mjete mësimore për autizëm, mjete mësimore, glinë, letra, blloqe, lojëra me shkronja etj., të cilat kapin vlerën prej 3075 frangash zvicerane. Gjithashtu kemi edhe donacionin e audiogramit, aparat për matjen e aftësisë dëgjimore të veshit, si dhe donacionin e fundit që na arriti javës që shkoi, e që ka të bëjë me sigurimin e pajisjeve me programin ABLLS-R (Assessment of Basic Language and Learning Skills – Revised, ose në shqip, Vlerësimi i rishikuar i aftësive bazë të gjuhës dhe aftësive të mësimit), të cilat kapin shumën prej 1.300 dollarëve amerikanë. Këto pajisje do të shërbejnë për ngritjen e kompetencave profesionale të studentëve për ABA Terapinë, për të vlerësuar, udhëzuar dhe monitoruar fëmijët me autizëm ose paaftësi të tjera zhvillimore, si dhe për të identifikuar mangësitë në aftësitë gjuhësore, akademike, të vetë-ndihmës dhe motorike, dhe më pas për të zbatuar dhe vlerësuar ndërhyrjen. Mos harrojmë edhe ndihmën financiare dhe mbështetjen nga partneriteti që e kemi pasur edhe për dy realizimet e “Javës së veçantë studimore”, si dhe jemi në përgatitje edhe kemi siguruar mbështetje edhe për realizimin e “Javës së tretë të veçantë studimore”, tha Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Ai më tej theksoi se, Fakulteti Pedagogjik vazhdimisht shfaq vullnet të mirë dhe frymë bashkëpunimi edhe për organizimin e veprimtarive të rëndësishme shkencore. “Njëra ndër ato është edhe panel diskutimi i sotëm, që përkon me 2 Prillin – Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin dhe në të cilin marrin pjesë, Doc. Dr. Jasmina Troshanska, profesoreshë në Fakultetin Pedagogjik, Megan Reed-Hansen, BCBA terapiste dhe Mr.Sc. Agnesa Besimi, asistente në Fakultetin Pedagogjik. Shpresojmë që nga ky diskutim të dalin konkluzione të rëndësishme që do t’u shërbejnë hartuesve të politikave arsimore, me theks të veçantë në sferën e përfshirjes së plotë në procesin e rregullt arsimor të fëmijëve me spektër të autizmit”, nënvizoi mes tjerash Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof.Dr. Lulzim Mehmedi.
Pjesë e tryezës së rrumbullakët ishin, terapistja e trajnuar në BCBA, Megan Reed – Hansen, Profesoreshë e Fakultetit Pedagogjik, Doc. Dr. Jasmina Troshanska dhe asistentja e Fakultetit Pedagogjik, Mr. Sc. Agnesa Besimi. Terapistja e trajnuar në BCBA, Megan Reed – Hansen prezantoi mbi temën: “Intervenimi i hershëm në terapinë ABA”, Profesoresha e Fakultetit Pedagogjik, Doc. Dr. Jasmina Troshanska foli mbi temën: “Ndihma vizuale, e patjetërsueshme tek fëmijët me autizëm” dhe Mr. Sc.Agnesa Besimi foli mbi temën: “Përkufizimi i sjelljes sfiduese dhe prevalenca e saj tek fëmijët me autizëm”.
Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Supozohet se autizmi shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se një për qind e popullatës globale është autike.

Marketing