Në Universitetin e Tetovës, më 24 dhjetor 2019 u mbajt koncerti i “Orkestrës kamertale të harkorëve të rinj”, i përbërë nga studentë të Fakultetit të Arteve – Programi studimor i Artit muzikor, të udhëhequr nga Prof. Ord. Blerim Grubi.
Me këtë rast ai theksoi se, ky koncert është një produkt autentik i Universitetit të Tetovës, duke i sjellë studentët deri këtu, dhe tani, pjesa tjetër iu takon njerëzve kompetentë që t’i sistemojnë, të punësohen, që në të ardhmen të jenë artistët, yjet tanë, me të cilët ne do të krenohemi. “Duhet përkrahje, pasi siç po e shohim, rinia po dëshpërohet e po ikë prej këtu. Duhet të jemi shumë të përgatitur në këtë aspekt, të punojmë me të rinjtë, pasi rinia është mbi të gjitha, e për këtë arsye e bëmë edhe koncertin. Kisha dëshirë ta bëjmë edhe në vendet e tjera, si Strugë, Kumanovë e Dibër, mirëpo i shtymë për hera të tjera. Është një gjë pozitive sepse këta do të jenë artistë të diplomuar dhe unë apostafat i pagëzova me emrin “Orkestra kamertale e harkorëve të rinj”, pasi në të ardhmen këta do të kenë projekte të reja, me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, komunës edhe qyteteve të tjera. Dëshira është që këta të shndërrohen në një institucion të ri, një institucion harkor, një orkestër e re, dhe pse jo më vonë ajo të zhvillohet e të zgjerohet në filarmoni. Arti ka nevojë për ne, arti është shumë i rëndësishëm për ringritjen e kulturës, sidomos te ne shqiptarët, pasi nuk kemi pasur shumë mundësi” – tha mes tjerash, Prof. Ord. Blerim Grubi.
Repertori i koncertit ishte i përbërë nga 12 këngë, i orkestruar nga Tomor Berisha dhe Desar Sulejmani, duke filluar nga interpretimet popullore e deri tek hitet ndërkombëtare. Në përfundim të koncertit, Prof. Ord. Blerim Grubi, të pranishmëve ua uroi Vitin e Ri, duke shpresuar se artistët do të përkrahen akoma më shumë në të ardhmen, pasi janë ambasadorët më të denjë të vendit.