Në UT u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Përdorimi efektiv i artit dhe teknologjisë krijuese në kultivimin dhe tregtimin e luleve”

Universiteti i Tetovës ishte nikoqir i Konferencës Ndërkombëtare me temë: “Përdorimi efektiv i artit dhe teknologjisë krijuese në kultivimin dhe tregtimin e luleve” në kuadër të projektit: “Lulëzimi i artit (Rritja dhe fuqizimi i grave të reja nëpërmjet prodhimit artistik të luleve në mënyrë novatore dhe krijuese)” i financuar nga programi Erasmus +. Projekti synon krijimin e një baze të përbashkët për të ardhmen e politikave të prodhimit të luleve.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi e përshëndeti këtë iniciativë duke theksuar se tema që trajtohet në këtë konferencë është në interes të përbashkët pasi ka të bëjë me ambientin ku jetojmë. “Ju e dini se në kohën e fundit lulëtaria është një degë shumë e rëndësishme e zhvillimit, jo vetëm për pjesën ekonomike, e cila është shumë domethënëse, por edhe për pjesën kreative ose pjesën e krijimit të peizazheve të reja. Në periudhën e fundit edhe vendi ynë është një ndër vendet që stimulon një prodhim të këtillë. Për ne si fakultet brenda një kohe shumë të shkurtër ky është aktiviteti i katërt që e realizojmë, por shpresoj që të mos jetë i fundit për këtë vit pasi kemi edhe një aktivitet tjetër që ka të bëjë me shpalljen e rezultateve të garave me mjaltë. Ju uroj referuesve sukses dhe shpresoj që nga ky takim të dalin konkluza që do të shfrytëzohen si pika referimi për konferencat e radhës” tha Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi.
Koordinatori i kësaj konference dhe njëherit profesor i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Doc. Dr. Erhan Sulejmani e paraqiti punimin “Lulëzimi i artit – partnerët, objektivi kryesor, rezultatet intelektuale”.Në këtë aktivitet mori pjesë edhe drejtorja gjenerale e “European Plants”, znj.Vileke Roes e cila e prezantoi temën “Gjelbërimi urban, arti krijues dhe teknologjia në kultivimin e bimëve”.
Në konferencë u prezantuan edhe tema të tjera si: “Prezantim – udhëzime për krijimin e dizajnit të enëve artistike, informacion për gratë e reja prodhuese të luleve dhe kultivimi tradicional i luleve në praktikë dhe mënyra të reja inovative” nga koordinatorja e projektit nga Turqia, Dr. Sebahat Sheker, specialiste e projekteve të BE-së; “Kontrolli dhe perspektivat rregullatore kombëtare, diversifikimet rajonale, rekomandimet për prodhimin e luleve me pakicë” nga z.Xhelal Nuredini, Ministria e Bujqësisë; “Përdorimi efektiv i artit dhe teknologjisë kreative në kultivimin e luleve” dhe “Platformat online, teknologjitë e mençura përfshirë tregtinë elektronike, e-marketingun, tregtinë elektronike dhe marketingun” nga Zoran Veskovski , drejtor gjeneral i lulishtes “Kitka”- Shkup dhe “Shëndeti dhe sëmundjet e bimëve dhe përfitimi nga gjelbërimi urban“ nga Prof. Dr. Elmi Jusufi, Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë i Universitetit të Tetovës.
Në shenjë falënderimi, Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi ndau disa mirënjohje për pjesëmarrësit.

Marketing