Në Universitetin e Tetovës, grupi shkencor i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, i cili nën udhëheqjen e koordinatores, Doc. Dr. Arbëresha Bexheti – Ferati, sot organizoi panel diskutimi me temë “Kanceri i mushkërive – muaji i ndërgjegjësimit”. Qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte sensibilizimi i shoqërisë tonë për rreziqet, masat preventive dhe njohjen me informacionin përkatës nga specialistë të lëmenjve të mjekësisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë specialistë të fushës përkatëse, studentë, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Pjesë e panelit ishin Dr. Spec. Arben Rexhepi – specialist i pulmologjisë i cili e prezantoi temën: “Sfidat në diagnostikimin e kancerit të mushkërive”, Dr. Spec. Visar Xhaferi – Specialist i kirurgjisë torakale, i cili e prezantoi temën: “Rëndësia e skriningut të kancerit të mushkërive” dhe Ass. Dr. Learta Asani – specialiste e patologjisë, e cila e prezantoi temën: “Klasifikimi i tumoreve malinje të mushkërive sipas OBSH-së”.
Sipas Dr. Spec. Visar Xhaferit, muaji nëntor është muaji i vetëdijesimit për kancerin e mushkërive. “Kanceri i mushkërive është kanceri me vdekshmëri më të lartë nga të gjitha kancerët në nivel botëror dhe normal që në këtë muaj duhet të bëhet diçka më shumë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për çështjen e kancerit të mushkërive” theksoi Dr. Spec. Visar Xhaferi – specialist i kirurgjisë torakale.
Ndërkaq sa i përket zbulimit të kancerit të mushkërive në fazë të hershme, Dr. Spec Visar Xhaferi tha se ka një përmirësim, një vetëdijesim, por ai shpreson që në Maqedoninë e Veriut përpos skriningut të kancerit të gjirit, prostatës korolektare dhe qafës së mitrës, në masë të madhe të realizohet edhe skriningu i kancerit të mushkërive. “Nga 10 kancerë që i zbulojmë në klinikën tonë, nëntë janë jooperabil, d.m.th. ka mbaruar puna e tyre dhe nuk mund t’ju ndihmohet. Skriningu këtë qëllim e ka, që të bëhet sa më shpejt diagnostikimi i kancerit dhe si pasojë e asaj pacientët të trajtohen dhe të kenë më shumë mundësi për të jetuar më gjatë” përfundoi Dr. Spec. Visar Xhaferi – specialist i kirurgjisë torakale.
“Grupi ynë shkencor angazhohet që përmes organizimeve të këtij niveli ta informojë opinionin, shoqërinë në përgjithësi me rreziqet e shumta që na kanosen nga sëmundje të ndryshme. Anëtarët tanë, profesorët dhe studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë japin kontribut konkret për sensibilizimin shoqëror duke shpërndarë materiale – fletushka me informacione profesionale, duke organizuar edhe tribuna apo panele diskutimi sikurse ishte aktiviteti i sotëm që iu kushtua kancerit të mushkërive dhe ndërgjegjësimit kundër tij, duke mos harruar edhe ngjarje të tjera, sikurse janë shënimi i datave të rëndësishme për mjekësinë në tërësi dhe që bëjnë pjesë edhe në kalendarin vjetor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”- deklaroi, Doc. Dr. Arbëresha Bexheti –Ferati, koordinatore e grupit shkencor të FSHM-së.
Kryetarja e grupit shkencor, në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, Luiza Mehmedi theksoi se ky aktivitet është shumë i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me njërin nga kancerët më vdekjeprurës në rang botëror dhe se duhet t’i kushtohet vëmendja e duhur. “ Ne sot e organizojmë një aktivitet shumë të rëndësishëm për popullatën tonë, i cili është kanceri i mushkërive – muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të mushkërive. Kjo bëhet për vetëdijesimin e popullatës, për rritjen e dijenisë, domethënë se si masat preventive duhet t’i përdorim, mbrojtjen ndaj kancerit të mushkërive. Çka duhet të bëjmë, çka duhet të parandalojmë ne që mos përhapet më shumë kanceri i mushkërive” u shpreh Luiza Mehmedi.
Në këtë ngjarje u diskutua edhe për faktorët që ndikojnë në përhapjen e kancerit të mushkërive siç janë: pirja e duhanit, gjenetika, pluhuri i uraniumit, ekspozimi ndaj azbestit ose radonit si dhe fazat e zhvillimit. Kanceri i mushkërive e ka origjinën në indet e mushkërive, organet përgjegjëse për traktin respirator. Kanceri krijohet kur qelizat normale fillojnë të ndahen jashtë kontrollit dhe të formojnë tumore. Ky organizim u përmbyll me një pikë muzikore nga studentët tanë: Oreli dhe Olti Esati.