Në UT u mbajtën provimet pranuese në disa programe studimore

Pas përfundimit të afatit të parë të aplikimit për regjistrim në vitin akademik 2021/2022, më 4 shtator 2021, në zbatim të protokolleve për mbrojtjen e shëndetit publik, në Universitetin e Tetovës u zhvillua kontrolli i njohurive dhe i aftësive i kandidatëve që kanë konkurruar në programet studimore.

Marketing

Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, përkatësisht në drejtimet studimore Mjekësi e përgjithshme, Mjekësi dentare dhe Farmaci, provimit pranues iu nënshtruan shtetasit e huaj dhe të gjithë studentët që nuk e kanë dhënë maturën shtetërore apo nuk i kanë zgjedhur lëndët profesionale (Biologji,Kimi).

Po ashtu provim pranues u mbajt edhe për studentët e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara–drejtimi Arkitekturë, Fakultetit të Kulturës Fizike, Fakultetit Pedagogjik- drejtimet Mësim klasor dhe Parashkollor, Fakultetit të Arteve – drejtimi Art figurativ – Pedagogjik, Dizajn Grafik, Skulpturë, Pikturë, Grafikë, drejtimi Art dramatik – Aktrim, Regji teatri, Regji filmi, Kinematografi, Montazh, Produksion, Skenar filmi dhe dramaturgji, drejtimi Art muzikor –drejtimet: muzikologji, etnomuzikologji, pedagogjik, solo këndim, dirigjim, kompozicion dhe instrumental .

Pas shpalljes së listës preliminare nga komisioni përkatës, kandidati ka të drejtë kundërshtimi dhe ankese në afat prej njëzetekatërorësh, përmes arkivit ose përmes formës online. Në të kundërtën, e humb të drejtën për kundërshtim në procedurën e mëtejshme të ankesave për rezultatet e shpallura. Kundërshtimi ka të bëjë vetëm me lëshimet teknike (gabime të bëra gjatë llogaritjes së pikëve), dhe i njëjti i drejtohet komisionit universitar për pranimin e studentëve.
Shpallja e rezultateve preliminare do të bëhet të hënën (06.09.2021), ndërsa shpallja e vendimit për pranim të kandidatëve do të jetë një ditë më pas (07.09.2021) ndërkaq regjistrimi i kandidatëve do të fillojë nga e marta e deri të premten (07 – 10.09.2021).