Në Universitetin e Tetovës, sot u mbajtën dy sesione informuese nga Agjencia Nacionale për Arsimim Evropian dhe Mobilitet, të cilët prezantuan mundësitë që i ofron programi i Komisionit Evropian për Mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik Erasmus +.
Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Doc. Dr. Shefik Shehu, në fillim të sesionit shprehu falënderime ndaj Agjencisë Nacionale për Arsimim Evropian dhe Mobilitet, për mbështetjen e vazhdueshme që u japin studentëve dhe stafit akademik përmes Programit Erasmu Plus. Ai, më tej shtoi se misioni i secilit universitet është që të sfidojë dhe ta hapë mendjen e secilit student, botëkuptimet nga të cilat kemi ardhur, duke filluar nga shkollimi paraprak, rrethi, familja dhe kësisoj të hapin horizontet e reja. “Duhet të vendosni pikëpyetje nga botëkuptimet paraprake që i keni pasur, në mënyrë kritike të analizoni dhe të shihni se a kam bërë mirë, a kemi jetuar mirë dhe si duhet të ecim përpara. Ne jemi në një rrugë të mbarë, ne kemi studentë që janë jashtëzakonisht të përgatitur për t’u ballafaquar me sfida të reja, jashtëzakonisht të përgatitur për të hyrë në çdo shoqëri, nga cilido vend qoftë ai. Ne do t’u dëshmojmë të gjithëve se kemi studentë të cilët janë jashtëzakonisht të përgatitur, për të dalë, për të çarë horizonte të reja edhe për të sjellë përvojat e tyre pastaj përsëri në vendin tonë, të pasurojnë edhe përvojën akademike, por edhe jetën tonë sociale edhe për të sjellë ndonjë ndryshim më progresiv, te të gjithë ne, duke filluar nga vetvetja e te të tjerët. Erasmu + i ofron të gjitha këto mundësi, ndërsa e jona mbetet që t’i ndjekim udhëzimet, të aplikojmë dhe të jemi pjesë e mobilitetit”, tha Doc. Dr. Shefik Shehu.
Përfaqësuesi i Agjencisë Nacionale për Arsimim Evropian dhe Mobilitet në vendin tonë, Astrit Rexhepi tha se këto sesione realizohen me të vetmin qëllim, që për së afërmi t’i njoftojmë studentët dhe stafin akademik për kornizën financiare 2021 – 2027 të Erasmus +, pasi që buxheti pretendohet që të dyfishohet ose të trefishohet nga vendimi i Komisionit Evropian dhe ne duhet të jemi të përgatitur me kohë që të kemi kapacitete absorbuese që këto mjete t’i shfrytëzojmë dhe mos t’i kthejmë prapë. “Jam shumë i lumtur me bashkëpunimin që kemi me Universitetin e Tetovës, mobilitetet që janë ofruar nga ana e Agjencisë Nacionale janë të realizuara 100 % në dy vitet e fundit dhe mbi 90 % në vitet 2015, 2016, ndërsa kjo na jep një sinjal pozitiv se Universiteti i Tetovës ka kapacitete për të bërë shfrytëzimin e granteve që janë nga programi Erasmus + . Për vitin 2019, ne i kemi ofruar Universitetit të Tetovës gjithsej 60 mobilitete, që tregon se bashkëpunimi ynë me këtë institucion thellohet për hir të performansës që ka treguar në të kaluarën dhe Universiteti i Tetovës aktualisht është universiteti i vetëm në vendin tonë, i cili e mundësoi që një studentë me aftësi të veçanta të shkojë në mobilitet dhe për këtë u jam shumë mirënjohës UT-së dhe zonjës Shpresa Ademi nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar, që bën të pamundurën që ky mobilitet të realizohet”, tha Astrit Rexhepi.
Në këto sesione folën edhe studentet Dijedona Murtishi dhe Eliza Musli, mbi sfidat, eksperiencat dhe ngjarjet më të rëndësishme gjatë qëndrimit të tyre në mobilitet, të cilat kanë realizuar eksperiencën e tyre përmes Erasmus +. Me këtë rast studentja e mjekësisë, Dijedona Murtishi foli mbi eksperiencat profesionale gjatë qëndrimit në Ankara, ekskursionin energjik me “Ekspresin Lindor”, mbi 56 orë udhëtim me tren, premierë të një filmi turk shumë të dashur për shqiptarët, shoqëri të reja dhe pjesëmarrje në konferenca multidiplicinare. Ndërsa Eliza Musli, studente e drejtimit të turizmit, përfituese e këtij programi foli mbi 10 gjërat që duhet t’i ketë çdo student parasysh, me qëllim për t’u ambientuar me atmosferë të re.