Në UT u organizua tryezë e rrumbullakët, me temë “Inkluzioni i nxënësve me spektër të autizmit”

Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Institutin e Edukimit Special dhe Rehabilitimit të Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, në ambientet e Universitetit tonë organizoi tryezë të rrumbullakët me temë “Inkluzioni i nxënësve me spektër të autizmit”. Qëllimi i kësaj tryeze ishte shpalosja e arritjeve të deritanishme në trajtimin, arsimimin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen vetë fëmijët, prindërit, por edhe edukatorët e edukimit special dhe rehabilitimit.
Në emër të Universitetit të Tetovës të pranishmëve në këtë tryezë, me fjalë rasti ju drejtua prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili tha se ngjarje të tilla promovojnë mirëkuptimin dhe humanizmin tonë, e sensibilizojë opinionin e gjerë për të drejtat që duhet t’i gëzojnë edhe këta persona me nevoja ndryshe, si dhe integrimin e tyre në të gjitha fushat e jetës, si në sferën sociale, arsimore, ekonomike dhe kulturore. “Kjo gatishmëri dëshmohet me organizimin e debateve të këtilla shkencore, shtimin e angazhimeve financiare, përhapjen e rrjeteve të institucioneve të ndryshme për personat me aftësi ndryshe, si dhe me angazhimin e kuadrove në fushën e edukimit dhe rehabilitimit. Deri më sot janë miratuar shumë konventa ndërkombëtare, rezoluta, deklarata dhe dokumente të tjera për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, të cilat janë pranuar dhe zbatuar edhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Shkaqet e kësaj gjendje janë të ndryshme, duke filluar nga mosinformimi, niveli social dhe kulturor, si dhe rezistenca ndaj këtij trajtimi. Por arsyeja kryesore ka qenë mungesa e kuadrit profesional të edukatorëve për edukim special të kësaj kategorie. Vlerësoj se Universiteti ynë në raport me këtë çështje e ka kryer detyrën e tij, duke përgatitur kuadro të mirëfilltë përmes Programit studimor për Edukim Special dhe Rehabilitim, kuadro të cilët japin kontribut të çmuar në procesin edukativ-arsimor, mbrojtjen shëndetësore dhe procesin e rehabilitimit të personave me aftësi ndryshe”, tha Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Tryezën kushtuar Inkluzionit të nxënësve me spektër të autizmit, me prezencën e tij e nderoi edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Ai, në fjalën e tij, duke iu referuar temës së kësaj tryeze tha se, në vitin shkollor 2021/22, në shkollat fillore janë përfshirë gjithsej 911 nxënës me nevoja të veçanta arsimore dhe 312 nxënës me nevoja të veçanta arsimore në shkollat e mesme të rregullta. Nisur nga këto shifra, numri i asistentëve do të rritet, nëse do të rritet nevoja për ta, gjegjësisht nëse prindërit e tjerë të nxënësve të kësaj kategorie deklarojnë se duan të angazhojnë asistentë për fëmijën e tyre. “Duhet theksuar se, shkollat fillore me qendër burimore do të vazhdojnë të kontribuojnë në procesin e edukimit dhe arsimimit të nxënësve me nevoja komplekse. Në ndërkohë vazhdimisht do të përforcohen edhe shërbimet profesionale dhe do të angazhohen në mënyrë shtesë pedagogë, psikologë dhe defektologë në ato shkolla ku nuk ekzistonin, ose nuk kanë qenë në numër të mjaftueshëm dhe proporcional, sipas numrit të nxënësve që kanë nevojë për mbështetje profesionale. Në përputhje me Konceptin e ri për arsimin fillor, tekstet shkollore për klasën I dhe IV janë përshtatur për nevojat e nxënësve me vështirësi, gjegjësisht janë shtypur në alfabetin Braj, janë përshtatur edhe në formatin audio, si dhe është krijuar një lexues audio që mund të lexojë materialet mësimore në Gjuhën maqedonase dhe Gjuhën shqipe. Ky proces do të vazhdojë edhe më tej, përkatësisht tekste shkollore do të ketë në formate të ndryshme edhe për klasat e tjera në arsimin fillor, ndërsa do të bëjmë furnizimin edhe të teknologjive ndihmëse dhe mjeteve mësimore për nxënësit me vështirësi. Në këtë vit shkollor, shkollave fillore me qendër burimore u janë ndarë mjete në vlerë prej 2.500.000 denarë për furnizimin e pajisjeve dhe mjeteve didaktike me qëllim të mbështetjes së arsimit gjithëpërfshirës. Do të vazhdojmë të mbështesim dhe zhvillojmë shkollat fillore me qendra burimore dhe vëmendje e veçantë do t’i kushtohet trajnimit të kuadrit mësimor për të punuar me nxënësit me vështirësi, ndërsa në ndërkohë intensifikohet investimi në qasjen e objekteve të infrastrukturës, gjegjësisht një nga kushtet për miratimin e mjeteve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për realizimin e projekteve investuese të komunave dhe shkollave, ndërsa të njëjtat të mundësojnë qasje për personat me vështirësi në objektin të cilit i referohen”, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi tha se pas akreditimit të Programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilitimit, në vitin 2012, sot i shohim suksese dhe të arriturat tek armata e edukatorëve dhe rehabilituesve special, të cilët japin kontribut në trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në shkollat fillore dhe të mesme, në institucione shtetërore dhe private, si dhe në organizatat e ndryshme joqeveritare, themelues të së cilave janë pikërisht ish-studentët tanë. “Studentët tanë në këtë drejtim, përvojat e praktikës pozitive i marrin jo vetëm në vendin tonë, por edhe në institucione eminente edhe në Kosovë dhe Turqi. Duke i parë rezultatet pozitive në këtë drejtim, nga viti akademik 2021/22, në kuadër të ciklit të dytë të studimeve, ne kemi regjistruar studentë edhe në tre programe studimore Arsimi inkluziv, Autizmi dhe Logopedia, programe këto që mundësojmë përforcimin e kapaciteteve hulumtuese për të qenë të përgatitur profesionalisht dhe konkurrentë të qëndrueshëm në tregun e punës. Padyshim që në të ardhmen synimi ynë do të jetë edhe vazhdimin në kontinuitet të akreditimit të këtyre programeve studimore, edhe në ciklin e tretë të studimeve. Për të realizuar këto objektiva, në programin studimor të Edukimit Special dhe Rehabilimit vazhdimisht jemi në kërkim të kompletimit sa më cilësor të personelit akademik dhe rritjes së përgjegjësisë në punë”, u shpreh Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Më pas vlerësimet e tyre mbi këtë tematikë i dhanë edhe panelistët ekspertë të kësaj fushe. Paneli u udhëhoq nga prodekani për Shkencë i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Buniamin Memedi, Doc. Dr. Jasmina Troshanska, profesoreshë në Katedrën e Edukimit Special dhe Rehabilitimit në UT, Prof. Dr. Natasha Stanojkovska, prodekane e Fakultetit Filozofik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, Prof. Dr. Naser Durmishi, specialist në Qendrën për vlerësim të fëmijëve me autizëm në Spitalin Psikiatrik, Goran Petrushev, kryetar i Shoqatës së Edukatorëve Special dhe Rehabilitatorëve, si dhe Drita Ademi, studente e ciklit të dytë e Edukimit special dhe rehabilitimit – ABA- terapeute e fëmijëve me autizëm. Në përmbyllje të kësaj tryeze, prodekani për Shkencë i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Buniamin Memedi shpalosi edhe konkluzionet e dala nga kjo tryezë. Panelistët apeluan që t’u kushtohet rëndësi 7 pikave, dhe atë: Të kenë kujdes më të madh për intervenimin e hershëm me qëllim të përfshirjes së nxënësve me spektër të autizmit; Të hapet regjistri për evidentimin e personave me nevoja të veçanta arsimore dhe me spektër të autizmit; Zhvillimi profesional i mësimdhënësve për nevojat e fëmijëve me spektër të autizmit dhe përgatitja e planit individual të arsimit; Përkujdesje më të madhe të aftësimit të të rinjve me çrregullim të spektrit të autizmit; Vazhdim të bashkëpunimit me Institutin e Edukimit Special dhe Rehabilitues në Shkup, në organizimin e konferencave, debateve dhe projekteve në fushën e spektrit të autizmit; Hapje e qendrave për përkrahjeve të fëmijëve, të rinjve me çrregullimit të spektrit të autizmit; Edukimi i studentëve për aplikimin e metodave për punë me çrregullimin e spektrit të autizmit.

Marketing