Në UT u përurua Këndi Arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë

Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë sot zyrtarisht e përuruan Këndin Arkivor  në hapësirat e Universitetit tonë. Përurimin e këtij këndi e bënë Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bido.

Marketing

Me këtë rast Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, tha se kjo është një ditë e veçantë për Universitetin e Tetovës. Sipas tij, hapja e Këndit Arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) të Shqipërisë është jetësim i përpjekjeve tona të vazhdueshme për bashkëpunim të mirëfilltë dhe përmbajtësor me institucionet shqiptare. “Tashmë, prezenca fizike e DPA-së në bibliotekën e Fakultetit Filozofik në UT simbolizon jo vetëm këto përpjekje, por edhe mundësinë reale për hulumtim nga stafi dhe studentë të Universitetit të Tetovës, por edhe nga studiues dhe hulumtues nga mbarë vendi. Jemi mirënjohës për këtë kontribut dhe mbështetje nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Këtij bashkëpunimi i parapriu nënshkrimi i një marrëveshjeje kornizë mes dy institucioneve dhe urojmë që e njëjta të sjellë përfitimet e duhura te studentët dhe stafi ynë akademik. Uroj që të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi me institucionet tjera shqiptare” – theksoi Prof. Dr. Shefik Shehu

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Republikës së Shqipërisë z. Ardit Bido u shpreh se hapja e këtij Këndi Arkivor do jetë një mundësi e mirë për çdo studiues të kësaj ane. “Përmes kësaj platforme, çdo studiues, mund të kërkojë dokumente arkivore të fondit të pasur me mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i shtetit shqiptar, e që është e gjithë historia e kombit para vitit 1945, përfshirë edhe viset e Maqedonisë, Kosovës e të tjera. Sigurisht që studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Universitetin e Tetovës do t’i ketë lehtësimet përmes kësaj platforme ngjashëm sikur të jetë në Tiranë. Është një mundësi e mirë si për stafin akademik të Universitetit të Tetovës studentët tuaj, por edhe për të gjithë qytetarët e Tetovës, të cilët dëshirojnë të kenë qasje në arkivin shqiptar” – u shpreh mes tjerash drejtori z. Ardit Bido.

 

Sipas rregullores së punës, Këndi Arkivor shërben vetëm për arsye studimore. Nëse dëshironi dokumente pronësore, amza shkollore, vjetërsi pune e dokumente të tjera biografike të Republikës së Shqipërisë, duhet të bëni aplikim në faqen kerkesa.arkiva.gov.al, jashtë Këndit Arkivor. Studiuesi, gjatë kohës që shfrytëzon Këndin Arkivor, është i detyruar të zbatojë rregulloren e Bibliotekës së Universitetit të Tetovës.Regjistrimi në sallën e studimit kryhet nga cdo kompjuter me lidhje me internet, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al.  Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, do të pajiseni në e – mailin tuaj me fjalëkalimin për të hyrë në sallën e studimit. Pasi të jeni regjistruar, mund të porosisni dosjet që dëshironi të konsultoni, si në këtë Kënd Arkivor, ashtu edhe në cdo kompjuter tjetër që ka lidhje me internet, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Dosjet e porositura nga ju do të shërbehen ditën  që keni përzgjedhur në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune. Nëse dëshironi të porosisni kopje digjitale të një ose disa dokumenteve ndiqni udhëzimet që ofron sistemi,  përfshirë edhe mënyrat e pagesës.

 

 

Marketing