Faqja zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit ka publikuar të dhënat për përqindjen e kërkesave për viza të refuzuara për SHBA-në në vitin 2022. Në statistikat e publikuara sipas shteteve nga të cilat janë pranuar aplikacionet, thuhet se vitin e kaluar janë refuzuar 26,29 për qind e aplikacioneve të aplikantëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në dokumentin zyrtar thuhet se gati 20 për qind e aplikimeve për viza amerikane janë refuzuar nga Bosnja dhe Hercegovina, 5,56 për qind nga Kroacia, 13,47 për qind nga Sllovenia, 19,45 për qind nga Serbia, 17,93 nga Kosova, 27, 55 nga Shqipëria dhe 34 për qind nga Mali i Zi.
Në listën e publikuar ka edhe shtete me zero për qind, pra ato që nuk u është refuzuar asnjë aplikim ose nuk kanë kërkuar as vizë. Këto janë Andorra, San Marino, Koreja e Veriut, Monako dhe Ishujt Marshall.