Në vitin 2024 masa rigoroze për pirjen e duhanit, Mexhiti: Le ta mendojnë duhanpirësit se si më tej

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti ka bërë të ditur se në vitin 2024 do të ketë masa më të rrepta për pirjen e duhanit. Ai këtë e tha në spitalin e Tetovës ku mori pjesë në promovimin e dhomës së gjidhënies, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a do të ndërmerren masa shtesë për shkak të intensifikimit të ndotjes së ajrit dhe problemeve të personave me sëmundje respiratore, transmeton Portalb.mk.

Marketing

“Sot folëm në kolegjiumin e rregullt të së hënës me shërbimet në Ministri. Në vitin e ardhshëm 2024 do të ketë masa rigoroze për pirjen e duhanit dhe është nënshkruar një protokoll me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Le ta mendojnë duhanpirësit se si më tej”, tha në përgjigjen e tij ministri Mexhiti.

I pyetur se deri ku është procesi për mbulimin e të gjithë pacientëve me fibrozë cistike me ilaçin “trikafta”, Mexhiti tregoi se po punohet për një zgjidhje pragmatike dhe gjithëpërfshirëse.

Shkupi për disa ditë me radhë ndodhej në listën e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë, treguan të dhënat nga internet-portali “IQAir”.

Sipas matjeve të kryera në orën 12 në mesditë, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut dje gjendej në vendin e gjashtë, për ajrin e ndotur. Me indeks të ndotjes prej 173, ajri është vlerësuar si “jo i shëndetshëm” dhe thuajse 20 herë e ka tejkaluar kufirin të cilin e rekomandon Organizata Botërore e Shëndetit.

Ndotësi kryesor janë grimcat PM 2,5, koncetrimet e të cilave sipas “IQAir” arrijnë në 99 mikrogramë në metër katror.