“Negociatat”, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin dritë jeshile nga BE-ja

Vendimi që pritet të marrë Këshilli Evropian në mars për fillim të negociatave për anëtarësim me Shkupin e Tiranën do të ndikojë në gjithë rajonin. Kjo është konkluza e ministrave të jashtëm të rajonit gjatë takimeve në Shkup në kuadër të Procesit të Berlinit. Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërxhan Darmanoviç dhe Zv/ministri i Jashtëm i Bosnje Hercegovinës, Josip Bërkiç thanë se do të ishte skajshmërish demotivuese për shtetet e tyre nëse BE-ja nuk fillon negociatat me Maqedoninë e Veriut, e cila ndërroi emrin kushtetues dhe me Shqipërinë, e cila pastroi gjyqësorin. Ministrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Nikolla Dimitrov dhe Gent Cakaj nuk shohin arsye për shtyrjen e mëtejshëm të procesit.

Marketing

Presim që shtetet anëtare të reflektojnë pozitivisht dhe të na japin dritë jeshile për fillim të negociatave. Kjo është kruciale për të thelluar reformat në Shqipëri, për të forcuar kredibilitetin e BE-së në rajon dhe është investim i vlefshëm në interesin gjeostrategjik të vetë BE-së – u shpreh Gent Cakaj, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Kam qenë optimist në qershor të vitit 2018 dhe në qershor e nëntor të vitit 2019. Tani duhet të jemi të kujdesshëm dhe të presim, por mendoj se kemi rast jashtëzakonisht të fuqishëm dhe është shumë vështirë të thuhet “Jo”. “Jo”-ja nënkupton zbehjen e ndikimit të BE-së në rajon – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

U theksua rëndësia e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore për integrim në BE. Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca kërkoi ndihmë të koordinuar mes BE-së dhe SHBA-së për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, ndërsa kryediplomatja bullgare, Ekaterina Zaharieva porositi shtetet e rajonit t’i zgjidhin problemet dypalëshe duke e vënë interesin e përgjithshëm mbi atë kombëtar.

Duhet të ruhet perspektiva evropiane e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të ruhet numri “6”. E dimë se duhet të mësojmë nga rasti i Maqedonisë së Veriut, së cilës vetëm pasi nënshkroi marrëveshje me Greqinë iu tha se mund të vazhdojë përpara. Mesazhi është i qartë, duhet të arrijmë marrëveshje me Serbinë në mënyrë që të ecim përpara – tha Glauk Konjufca, Ministër i Jashtëm i Kosovës.

Një nga problemet e Ballkanit është fokusimi i tepërt në të kaluarën. Mos më keqkuptoni, nuk është keq të kujtoni historinë, por bazë për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët është të diskutuarit pa emocione për të kaluarën. Liderët e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor deklarojnë se anëtarësimi në BE është prioriteti i tyre kryesor, por e vërteta është se këto nuk duhet të mbeten vetëm fjalë. Të jesh pjesë e BE-së nënkupton të punosh për interesin e përbashkët dhe jo vetëm atë kombëtar – u shpreh Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e inicuar në vitin 2014, që ta ndihmojë dhe jo zëvendësojë zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pos takimeve në Shkup, aktivitetet e sivjetshme të bashkë-organizuara nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të përfundojnë me Samitin e vjeshtës në Sofje dhe shënon bashkëpunimin e parë të këtillë të një shteti kandidat dhe një shteti anëtar.

Marketing