Nëna e braktisur kërkon ndihmë për foshnjën 2 javëshe

Nëna Hashije thotë se që kur është braktisur nga bashkëshorti, është bërë barë edhe për vëllain, i cili nuk është në gjendje të mirë ekonomike që të përkujdeset edhe për të dhe vajzën e saj të vogël, prandaj është detyruar që të kërkojë ndihmë nga njerëzit bamirës

Marketing

Hashije Jusufi, 34 vjeçare, nënë e vetme me një vajzë dy javësh, jeton te vëllai i saj në fshatin Bojanë të komunës së Sarajit, pasi që muaj më parë kur ishte shtatzënë, ishte braktisur nga burri dhe ka ngelur e vetme ku duhet të kujdeset për vajzën e saj të vogël, Ajlindën dy javëshe dhe nënën e saj të moshuar. Ata nuk kanë kurrfarë të ardhurash, jetojnë në një dhomë të ftohtë në shtëpinë e vëllait, pa ngrohje dhe pa ushqime të mjaftueshme, si për veten ashtu edhe për vajzën e vogël 2 javëshe.

“Kërkoj ndihmë nga të gjithë njerëzit human, të më ndihmojnë me çfarëdo qoftë më shumë për këtë vajzën e vogël, kam qenë e martuar, burri më ka braktisur kur isha shtatzënë, fëmija më ka lindur këtu te nëna, e kam lindur në spital në Shkup, por tash jemi këtu te shtëpia e vëllait, sepse burri më ka braktisur edhe vet nuk e di se ku mund të jetë, ku mund të ketë shkuar. Ka ikur diku, dhe nuk lajmërohet më.

Me siguri ka gjetur ndonjë grua tjetër, ndërsa mua më ka lënë me një fëmijë të vogël në mes të katër rrugëve pa zgjidhje, dhe tani duhet që të kujdesem vet për vajzën. Për me ngrënë nuk kemi asgjë. Kam dalë kam marrë veresi në dyqan qumësht për këtë të voglën, se nuk kemi ndihmë nga askush”, thotë ajo.

Nëna Hashije thotë që kur është braktisur nga bashkëshorti, është bërë barë edhe për vëllain i cili nuk është në gjendje të mirë ekonomike që të përkujdeset edhe për të dhe vajzën e saj të vogël, prandaj është detyruar që të kërkojë ndihmë nga njerëzit bamirës dhe human, që ta ndihmojnë të fus kokën diku në një ambient më të ngrohtë me kushte më të mira.

Për të rritur vajzën, ajo shprehet se ka nevojë edhe për ushqime, qumësht dhe veshmbathje, si për veten po ashtu edhe për vajzën. “Nuk kemi kurrfarë të ardhurash, as ndihmë sociale, asgjë, as nëna nuk merr as pension, as ndihmë sociale, prandaj e kemi mjaftë të vështirë jetojmë në skamje, me veresi. Deri më sot, nuk na ka ndihmuar askush, prandaj bëj apel deri te të gjithë bamirësit të na ndihmojnë, kam nevojë për gjithçka, për ushqime më shumë, por edhe për një vend ku mund të fusim kokën për të rritur vajzën”, shprehet ajo. Në ndërkohë, ajo ka patur probleme edhe me vajzën dy javëshe.

“E kam patur në spital në Shkup, tash është mirë, mirë duket, por sërish më 21 mars duhet ta dërgoj në spital në Shkup. Kam nevojë për gjithçka, për veshmbathje, për ushqim, për strehim sepse në këtë shtëpi nuk mund të mbijetoj. Vëllai për veten të kujdeset apo për mua, nuk ka mundësi”, apelon kjo nënë nga fshati Bojanë. Të gjithë ata njerëz bamirës, human, që duan dhe kanë mundësi ta ndihmojnë Hashije Jusufin nga fshati Bojanë, le të paraqiten në numrin e telefonit 072-664-402.

Marketing