Nëna Selime mbetet në rrugë me dy jetimë

Një nënë dhe dy jetimë kanë mbetur në mes të katër rrugëve. Jetojnë herë me qira e herë tek të afërmit. Shtëpia ku jetonin dikur me qira, Selime Selmani u rrënua tërësisht. Kjo është shtëpia e saj që kishte para një viti, kur Televezioni Shenja e vizitoi këtë familje.

Marketing

Me paratë e grumbulluar nga njerëzit e mirë dhe familjarët, nëna Selime arriti që të blejë truallin, por jo edhe të ndërtojë një strehë për vete dhe fëmijët e saj. Sot në vendin e rrënojave të shtëpisë po ndërtohet një objekt nga një i afërm i saj i cili pasi ka paguar për pastrimin e vendit dhe taksat komunale i ka premtuar asaj që t’ia lë objektin pas 10 vjetësh.

Mirëpo, në ndërkohë nëna Selime me dy fëmijët e saj kanë mbetur pa strehë mbi kokë. Disa muaj banuan në lagjen Radishan me qira, ndërsa momentalisht po banojnë tek familjarët e saj, pasi nuk kanë para për të paguar qiranë.

“Shumë e kam të vështirë, kur e kisha bashkëshortin nuk e kam pasur kaq vështirë. Shtëpia u rrënua pasi ishte shumë e vjetër, tash askund nëpër familje. Kam qenë me qira, kur kam pasur para, që të mos i lë në pozitë të vështirë edhe ata”, Selime Selmani, kryefamiljare.

Nëna Selime tregon që tani janë bërë gati tetë vjet nga vdekja e bashkëshortit dhe se kjo gjendje që i ka kapluar ata pas vdekjes së tij. Është shumë e rëndë thotë ajo, kur fëmijët kërkojnë diçka e ajo nuk mund t’ ua siguroj dhe më pas e lusin që t’i dërgoj tek varri i babait.

“Ka 8 vjet që ka vdekur, ka vdekur prej kanceri. Edhe ata kanë dëshirë, si i shohin tjerët edhe ata kanë dëshirë, çfarë të bëjë, nuk kam mundësi. E kam pasur shumë të vështirë si vdiq bashkëshorti. E kur ju thosha nuk kam pasur nuk ka, thoshin nënë çfarë është kjo fjalë. Do të shkojmë tek babi, do t’i tregoj që s’ka. Më kanë dërguar shpesh te varrezat, binin zgjoheshin tek varri, thoshin babi kemi ardhur ne, a po na sheh, a po na dëgjon, shumë kanë qenë të lidhur mes vete, shumë i ka dashtë”, Selime Selmani, kryefamiljare.

Kryefamiljarja Selmani apelon deri tek të gjithë dashamirët që t’i mundësojnë të ketë një shtëpi për t’u strehuar me fëmijët e saj dhe të mos brengoset për faktin se ku duhet ta kaloj ditën e ardhshme. /shenja/
Kontakt tel: 070 567 080