Është nënshkruar Marrëveshja mes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Kosovës për projektin Kompakt.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefja Ekzekutive e MCC-së, Alice Albright.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.
Ajo ka thënë se kjo marrëveshje vërteton partneritetin Kosovë-SHBA dhe që Kosova është e gatshme të përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër.
“Kjo marrëveshje vërteton, marrëveshjen që të jemi krahë njëri-tjetrit në kohëra të mira e të vështira. SHBA-ja është duke vazhduar që të na mbështesë që të arrijmë edhe më shumë. Është koha që të hartojmë politika më të mira për t’u përballur me situatën energjetike. Kosova është e gatshme që ta përqafojë të ardhmen e agjendës së gjelbër”.
Ajo ka shtuar ky është investimi më i madh për dekada me radhë që ka ndodhur në Kosovë.
“Marrëveshja me MCC është investimi më i madh në dekada me radhë, që do të na ndihmojë që të përballemi me krizën. Marrëveshja në afron drejt një sistemi të energjisë drejt nevojave të së ardhmes”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar sot para nënshkrimit të marrëveshjes së Kosovës me MCC-në.
Kurti deklaroi se sot është një ditë historike për Kosovën dhe Amerikën.
“Është një ditë historike për Kosovën dhe ShBA-në, sinjalizon partneritetin për qëllime të përbashkëta”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.
Ai theksoi se ky program është esencial, duke punuar intesivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë.
“Strategjia jonë e energjisë shkruan rrugën tonë drejtë një të ardhme të dekarbonizuar. Ky program kompakti është esencial, jemi duke punuar intensivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë”, u shpreh tutje Kurti.