Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d, nis realizimi i një prej projekteve më të mëdha të infrastrukturës

Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe konsorciumit “Behtel dhe Enka”.

Marketing

Në këtë ngjarje morën pjesë Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, përfaqësues të konsorciumit Behtel dhe Enka, Mark Alison dhe Mehmet Tara, si dhe ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela P. Ageler, dhe ambasadori i Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Hasan Mehmet Sekizqok.

“Më vjen mirë dhe krenohem që prioritetet e Qeverisë po bëhen realitet. Përpjekjet tona për infrastrukturë moderne rrugore dhe hekurudhore si dhe lidhje rajonale dhe ndërkombëtare janë tashmë të dukshme. Synimi ynë është një shtet anëtar i BE-së i lidhur dhe i zhvilluar ekonomikisht. Ky projekt historik nënkupton realizimin e një përcaktimi madhor strategjik. Investimet në infrastrukturën rrugore janë një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, në të cilat ne kemi një fokus të veçantë, sepse jemi duke zhvilluar infrastrukturën që nënkupton zhvillimin e ekonomisë. Ndërtimi i këtyre autostradave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ngritjen e nivelit të cilësisë së infrastrukturës rrugore dhe trafikut. Përmes seksioneve të Korridorit 8 dhe Korridorit 10 d, Republika e Maqedonisë së Veriut bëhet edhe më e rëndësishme në rrugën e transportit rajonal dhe ndërkombëtarë dhe më e dukshme në hartën botërore të investitorëve,” theksoi Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e sotëm në nënshkrimin e marrëveshjeve për ndërtimin e dy korridoreve.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, gjatë fjalimit të tij potencoi:

“Ky është projekti më i madh i infrastrukturës në vendin tonë. Jemi vërtet mirënjohës që dy vjet pas nënshkrimit të memorandumit me Behtel-in dhe Enkën në Qeveri, kemi ardhur në fund të të gjitha procedurave dhe negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes dhe fillimin e aktiviteteve të punës në javët në vijim. Ky është vetëm fillimi i një historie fantastike me të cilën do të ndërtojmë autostrada në vendin tonë. Unë shoh që të gjithë qytetarët janë shumë të sigurt se ky projekt është i sigurt në duart e konsorciumit. Në emër të komitetit drejtues këtu me Kryeministrin dhe gjithë Qeverinë, ju dëshirojmë suksese”, tha zëvendëskryeministri Grubi, duke falënderuar Ambasadën Amerikane për mbështetjen e procesit.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, në fjalën e tij theksoi:

“Nëse vitin e kaluar kemi filluar projektin më të madh që nga pavarësia e deri më sot në pjesën e infrastrukturës hekurudhore, sot po fillojmë realizimin e projektit më të madh në pjesën e infrastrukturës rrugore. Kontrata që po nënshkruajmë sot me kontraktorin është hapi i parë për ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore në korridoret 8 dhe 10 d. Me këtë projekt tregojmë se infrastruktura është prioriteti më i madh i kësaj Qeverie”. Ai shtoi se shteti nuk duhet të humbasë më shumë kohë në kalkulime dhe se duhet veprim për të ndërtuar një infrastrukturë rrugore moderne dhe për të ruajtur pozicionin strategjik në rajon.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, Ejup Rustemi theksoi se sot po nënshkruhet një marrëveshje për gjeneratat e ardhshme, marrëveshje për të ardhmen e çdo qytetari të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Me këtë Marrëveshje do të fillojë ndërtimi në katër linja rrugore, përkatësisht: Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, autostrada Trebenisht – Strugë – Kfasan, dhe magjistrale Prilep – Manastir. Fillimi me realizimin e katër seksioneve autostradë është një moment historik, sepse është projekti më i madh infrastrukturor në vendin tonë deri më tani në sektorin rrugor, i cili do të kontribuojë në një zhvillim më të shpejtë ekonomik, lidhje më të mira me fqinjët dhe korridoret ndërkombëtare. sa më shpejt dhe më i sigurt udhëtimi i pjesëmarrësve në komunikacion”, tha Rustemi, në fjalën e tij.

“Është kënaqësi të jem këtu. Jam i kënaqur që do të punojmë me Qeverinë e RSM-së në këtë projekt vërtet emocionues të transportit. Lidhjet rrugore në të gjithë rajonin dhe në Maqedoninë e Veriut janë vërtet të rëndësishme. Behtel dhe Enka kanë një histori të gjatë në ofrimin e projekteve dhe projekteve veçanërisht komplekse. Ne kemi marrë përgjegjësinë për të ruajtur standardin më të lartë që është shumë serioz për këtë projekt. Mezi presim fillimin e tij. Faleminderit për mundësinë”, tha Mark Alison, Drejtor i Përgjithshëm në Behtel.

Vlera e Marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d është 1.3 miliardë euro. Me kontratën po ndërtohen katër seksione autostrade me gjatësi totale rreth 110 kilometra.

Marketing