Periudhën e ardhshme Maqedonia e Veriut hy në fazën kritike të paraqitjes së mundshme të zjarreve. Javën që vjen nis fushata për vetëdijesimin e qytetarëve kundër zjarreve, që gjatë stinës së verës marrin përmasa shqetësuese.
Deri në 15 gusht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim përmes fushatës senzibilizuese do të parandalojë zjarret. Ky institucion për zjarret eventuale ka në dispozicionin 3 aeroplanë, të gatshëm për të ndërhyrë në rast nevoje. Zjarret janë dukuri e shpeshtë gjatë stinës së verës, ndërsa në të shumtën e rasteve shkaktar është faktori njeri.
Qëllimi i kësaj fushate është jo vetëm të veprojmë në mënyrë parandaluese, por edhe edukative, duke rritur ndërgjegjësimin e popullatës për të gjitha rreziqet e mundshme që zjarret i bartin, sepse po hyjmë në të ashtuquajturën periudhë kritike të vitit për paraqitjen e zjarreve në ambiente të hapur. Ulja e kërcënimeve nga zjarri është vetëm një njoftim për një fushatë që do të zhvillohet nën moton: E ardhmja i takon atyre që janë të gatshëm- deklaroi Adnan Xhaferoski-Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.