Pushimi dimëror i nxënësve edhe zyrtarisht përfundoi. Nesër nxënësit do t’iu rikthehen bankave në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, pasi përfunduan edhe dy ditët shtesë të pushimit dimëror për shkak të ndotjes së lartë të ajrit.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, vendimi për fillimin e gjysmë-vjetorit të dytë vjen pas rekomandimeve të Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Grupit të punës për inspektim dhe ndjekje të gjendjes së cilësisë së ajrit. Mirëpo nga Ministria e Arsimit nuk bëjnë të ditur nëse ditët e humbura do të zëvendësohen ndonjë fundjavë.
Pushimin dimëror të nxënësve nuk e shtyu as epidemia e fruthit pavarësisht se çdo ditë regjistrohen raste të reja. Siç njoftuan nga shëndetësia, sot janë pranuar edhe tre fëmijë me pasqyrë klinike të fruthit, 2 nga Qendra dhe 1 nga Çairi. Me këtë, numri i të prekurve nga fruthi ka arritur në 69 ndërkohë deri më sot vaksinën MRP e kanë pranuar mbi 3.400 fëmijë.
Nga Instituti i Shëndetit publik, komisioni për sëmundje infektive ditë më parë njoftuan se paralelisht me fillimin e gjysmë-vjetorit të dytë në shkolla do të zhvillohet edhe vaksinimi i fëmijëve të pavaksinuar. Vaksinimi do të zhvillohet në teren pasi paraprakisht ekipet shëndetësore do të konsultohen me përgjegjësit e shkollave dhe do të marrin miratimin e prindërve të fëmijëve të pavaksinuar.
Sipas të dhënave të këtij Instituti, rreth 3.700 fëmijë që ndjekin procesin mësimor nuk kanë pranuar vaksinën MRP.
Fundi i epidemisë do të shpallet katër javë pasi të mos evidentohet asnjë rast i ri i prekur nga fruthi.