Nesër muslimanët shënojnë Lejletu-l-Kadrin, natë më e vlefshme se një mijë muaj

Muslimanët në vendet e rajonit dhe në botë nesër shënojnë një nga netët më të rëndësishme të kalendarit islam, natën e Lejletu-l-Kadrit, natën më të rëndësishme të vitit, sipas mësimeve islame më të vlefshme se një mijë muaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Kjo natë është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, muajit më të rëndësishëm të kalendarit islam, i cili është në përfundim.

Këtë natë pjesa dërmuese e besimtarëve e kalon në lutje dhe adhurim, por edhe në itikaf, qëndrim në xhami për të kaluar me përkushtim të plotë në adhurim 10 ditëshin e fundit, sipas shembullit të të Dërguarit të Zotit Muhamedin paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të i cili në këtë mënyrë ka përcjellë një të tretën e fundit të Ramazanit.

Hadithet e profetit Muhamed paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të qartë tregojnë se nata e Lejletu-l-Kadrit është e fshehur në dhjetë ditëshin e fundit të muajit të Ramazanit, edhe atë në netët teke të saj, vlera e së cilës është shumë e madhe dhe e shumëfishtë.

Këtë e bën posaçërisht të rëndësishëm fakti se në të ka filluar shpallja e Kur’anit në të cilën është përshkruar vlera e saj e vërtetë, sipas së cilës është quajtur edhe kaptina El-Kadër: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit?, Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”. (El-Kadr 1-5).

Transmetohet se Muhamedi s.a.w.s. ka thënë se nata e Kadrit “është një natë e kthjellët dhe e butë, as e ngrohtë e as e ftohtë, kurse mëngjesin e saj dielli lind me ngjyrë të kuqe të zbehtë” ashtu që besimtarët të mund ta dallojnë.

Në këtë natë bëhen lutje të sinqerta dhe shprehen dëshira, shpresë dhe kërkohet falje nga Zoti i Madhërishëm, kurse Profeti, paqja qoftë mbi të, ka thënë se “ai që kalon natën e Kadrit në adhurim, do t’i falen mëkatet nga e kaluara” dhe se kjo nate “është shpëtim deri në agimin e saj”. Po ashtu transmetohet se në këtë natë melekët zbresin me numër të madh, ashtu që numri i tyre tejkalon gurët në tokë.

Nata e Kadrit apo nata e përcaktimit të fatit, është quajtur kështu pasi besohet se këtë natë përcaktohen dhe shkruhen fatet e të gjitha krijesave të Zotit të Madhërishëm për vitin që vjen.

Nata e Kadrit pritet dhe kalohet me adhurime të shumta, si lexim të Kur’anit, lutje, pendim të sinqertë dhe kërkimfalje.