Kuvendi nesër do të mbaj debat publik një ditor për Prokurorinë Publike. Debati i thirrur nga kryetari i Komisionit për Sistem Politik, Aleksander Kiracovski, nuk i referohet propozim-Ligjit për Prokurorinë Publike por organit të akuzës dhe luftës kundër korrupsionit në përgjithësi. Debati vjen në kuadër të negociatave që pushteti po i zhvillon me opozitën me qëllim sigurimin e 80 votave të nevojshme për miratimin e ligjit. Në debat janë ftuar kryeprokurori Ljubomir Joveski, kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Aco Kolevski, prokurorja Villma Ruskovska, ish prokurorët specialë Fatime Fetai, Lençe Ristovska dhe Gavrill Bubevski, profesorë, ekspertë dhe prokurorë aktual. Opozita është deklaruar se do të marrë pjesë në debat edhe pse sipas saj debati nuk është në përputhje me rregulloren e Kuvendit.
Ne si VMRO-DPMNE kemi kërkuar që në debat të përfshihen edhe ekspertët dhe të mos jetë i kufizuar vetëm me njerëzit që i përshtaten Qeverisë dhe Renata Deskoskës – tha Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Referuar Rregullores së Kuvendit, debati publik organizohet pasi që Kuvendi ta votojë nevojën për miratimin e ligjit.
Për propozim-ligjin i cili është me interes më të gjerë, Kuvendi pas diskutimit të përgjithshëm, mund të vendos për atë ligj të mbahet debat publik dhe të caktojë trup punues amë, i cili do ta organizojë debatin publik – thuhet në Rregulloren e Kuvendit, neni 145.
Burime nga grupi i punës brenda VMRO-DPMNE-së thonë se debati një ditor nuk mjafton që palët t’i kryqëzojnë mendimet dhe qëndrimet ndaj tekstit të ligjit. Nuk ka zhvillime nga negociatat për harmonizimin e qëndrimeve. Nga shumica parlamentare thonë se janë duke punuar për sigurimin e votave të nevojshme. 8 deputetët e pavarur të cilët lideri i LSDM-së i sheh si garanci për sigurimin e 80 votave në rast se dështon kompromisi me VMRO-DPMNE-në, ishin të pakapshëm të komentuar nëse kanë shqyrtuar tekstin e ligjit dhe si do të veprojnë gjatë procedurës parlamentare për miratimin e tij. Ditë më parë, kryeministri teknik, Oliver Spasovski theksoi se ligji së shpejti do të dorëzohen në Kuvend me qëllim miratimin e tij para shpërndarjes së Kuvendit me 11 shkurt