Nesër, në Bundestagun gjerman do të zhvillohet seanca në të cilin do të debatohet dhe votohet vendimi që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Debati në seancë pritet të zgjasë 45 minuta. E vetmja parti që pritet të jetë kundër marrjes së datës, është grupi parlamentar opozitar i Alternativës për Gjermaninë (AfD). Partitë e tjera opozitare, Të Gjelbrit, dhe liberalët e FDP-së pritet të thonë po, ndërsa e Majta është ende e lëkundur, por anon nga po-ja.
Në seancë, përfaqësues nga Maqedonia e Veriut do të jetë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani i cili do të pritet nga kryetari i Bundestagut gjerman, Volfgang Shojble.
Paraprakisht, grupi më i madh parlamentar i Bundestagut gjerman, CDU/CSU dhe SPD e kanë miratuar me shumicë votash vendimin marrjen e datës për nisjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, megjithëse kanë vënë 9 kushte shtesë për Shqipërinë, të cilat i kanë ndarë në dy etapa. Dy që duhen plotësuar para konferencës së parë të anëtarësimit dhe shtatë të tjera para se të fillojë konferenca e dytë apo hapja e kapitujve të parë (23 dhe 24).
Dokumenti u miratua me shumicë të madhe votash. Vetëm 28 deputetë ishin kundër, katër abstenuan, nga 246 deputetë që ka gjithsej grupi parlamentar më i madh në Gjermani. Grupi parlamentar socialdemokrat e kishte miratuar më parë të njëjtin dokument me shumicë të madhe votash.
Ndërkohë, mbështetje kategorike për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në BE kanë dhënë shefat e diplomacive të Bullgarisë Ekaterina Zaharieva, të Greqisë Nikos Dendias, të Rumanisë Ramona Manesku dhe të Kroacisë Gordan Gërliq -Radman në takimin e mbajtur në Nju-Jork në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryediplomatët e këtyre katër vendeve ballkanike anëtare të BE-së në takim kanë bërë kontrollim të integrimit evropian të shteteve fqinje kandidate për anëtarësim në Union.
Vendimi do të merret fillimisht nga Këshilli i Ministrave më 15 tetor, e më pas nga Këshilli i BE-së, gjatë samitit më 17 dhe 18 tetor.