Nesër seanca e parë kryesore për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend

Në Gjykatën Penale në Shkup nesër fillon procedura e re për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar.

Marketing

Lënda do të drejtohet nga gjykatësja për krim të organizuar Dobrila Kacarska.

Prokuroria Publike në Republikën e Maqedonisë, në mars sivjet publikoi se është parashtruar një aktakuzë kundër 30 personave, prej të cilëve 28 për kanosje terroriste të rendit kushtetues dhe sigurisë nga neni 313 të Kodit Penal, ndërsa dy personave për ndihmën gjatë kryerjes së veprës të njëjtë penale. Sipas PPRM-së, me aktakuzë janë përfshirë tre persona, pjesëtarë të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët si persona të autorizuar ishin bartësit e komandës “të artë” dhe “të argjendtë”, si dhe persona që ishin pjesëmarrës në grupin tjetër, si organizatorë të lëvizjes “Për Maqedoni të përbashkët”.

Gjykata Themelore Shkup 1, më 28 qershor të këtij viti, informoi se seanca e parë kryesore për rastin, lidhur me ngjarjet e 27 prillit 2017 në Kuvend, është caktuar për më 22 gusht të këtij viti në orën 10:00, ndërsa për këtë periudhë janë caktuar gjithsej 37 afate kohore për seancën kryesore, për të cilën tashmë janë duke u përgatitur urdhrat për sjelljen e të paraburgosurve që janë në arrest shtëpiak, si dhe ftesat për palët e tjera në rast.

Prokurori Darko Jakimovski, i cili përfaqësoi aktakuzën për tentativën e vrasjes së Zijadin Selës, njoftoi në një nga seancat e fundit për rastin e parë që hetimi mund të zgjerohet edhe kundër njerëzve të tjerë, sepse, siç tha ai, ai siguroi dëshmi të reja për ngjarjet në Kuvend.

Gjykatësja Sllavica Andreevska më 5 korrik shpalli vendimet e shtatë të pandehurve për vrasjen në tentativë të deputetit Zijadin Sela në Parlament më 27 prill të vitit të kaluar. Kire Gjorgjievski ka marrë një dënim me burg prej 13 vjetësh, Andrej Micov 10 vjet e gjashtë muaj, Oliver Oshavkovski 10 vjet e gjashtë muaj, Nikolçe Dimitrievski për 10 vjet e gjashtë muaj, Aleksandar Janevski – Toshta 13 vjet, Nikola Viminovski 13 vjet e gjashtë muaj dhe Kosta Delev 10 vjet e gjashtë muaj.

Paraprakisht, gjykata e dënoi Stojan Pavlevskin me tre vjet dhe Cejo Gjerogjievskin me një vit dhe dy muaj burg, derisa PP e tërhoqi akuzën kundër Sasho Senkov.

 

Marketing