Nesër zgjedhjet presidenciale në Kroaci

Në raundin e parë të zgjedhjeve që do të mbahen të dielën, 22 dhjetor, votuesit do të përcaktohen për njërin nga 11 kandidatët për president të Kroacisë.

Marketing

Nesër në Koraci mbahet raundi i parë i zgjedhjeve për mandatin pesëvjeçar për president, ku të drejtë vote kanë 3 milionë e 850 mijë votues brenda dhe jashtë vendit.

Fushata, në të cilën morën pjesë 11 kandidatë për president, zgjati deri të premten, 20 dhjetor, deri në mesnatë, kur edhe zyrtarisht filloi heshtja parazgjedhore.

Më shumë votues sesa në zgjedhjet e fundit presidenciale

Nëse njëri nga kandidatët merr më shumë se 50 përqind të votave në zgjedhje, atëherë nuk ka nevojë të shkohet në raundin e dytë, në të kundërtën, është paraparë raund i dytë i zgjedhjeve për 5 janar të vitit 2020, me vetëm dy kandidatë që do të fitojnë më së shumti vota.

Numri i përgjithshëm i votuesve për këto zgjedhje presidenciale është 3 milionë e 854 mijë e 747, që është 75 mijë e 466 më shumë sesa në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014.

Arsyeja e kësaj rritjeje është regjistrimi automatik i të gjithë votuesve në diasporë që mbajnë kartë identiteti të vlefshme dhe nuk kanë vendbanim në Kroaci.

Ministria kroate e Administratës ka raportuar se numri i votuesve me vendbanim në Kroaci për këto zgjedhje presidenciale është 3 milionë e 677 mijë e 904, që është për 93 mijë e 49 më pak se në zgjedhjet e mëparshme presidenciale, ndërsa 176 mijë e 843 votues janë në diasporë pa vendbanim në Kroaci.