Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se Hezbollahu po përgatiste një sulm ndaj Izraelit më të madh se ai i Hamasit me 7 Tetor të vitit të kaluar.
“Në një distancë prej 100 metrash, 200 metra nga kufiri (i Izraelit, në anën libaneze) gjetëm tunele nëntokësore që po përgatiteshin për të pushtuar Izraelin. Sulm edhe më i madh se ai i 7 tetorit… me xhipa e motoçikleta, me raketa”, u shpreh Netanyahu në një intervistë për mediat franceze.
“Ata po planifikonin një pushtim”, shtoi ai.
Më herët, kreu i qeverisë izraelite tha për Le Figaro se një sasi armësh moderne ruse ishin gjetur nga ushtria izraelite në strehimoret e Hezbollahut pro-iranian në Libanin jugor.
Pas gati një viti përleshjesh ndërkufitare me luftëtarët e Hezbollahut, Izraeli më 23 shtator filloi një fushatë të rëndë sulmesh ajrore kundër bastioneve të grupit në Liban.
Një javë më vonë ai filloi operacionet tokësore në pjesën jugore të vendit.
Izraeli përsërit se dëshiron të heqë Hezbollahun nga kufijtë e tij dhe t’i japë fund sulmit me raketa nga grupi shiit për të lejuar afro 60,000 banorët e zhvendosur të kthehen në Izraelin verior.
Të paktën 1,552 njerëz janë vrarë në Liban që nga fillimi i sulmeve ajrore izraelite më 23 shtator, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare. OKB ka regjistruar rreth 800,000 persona të zhvendosur brenda vendit, ndërsa, sipas autoriteteve libaneze, rreth 500,000 kanë ikur në Siri