Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se ripërtëritja e pasurimit të uraniumit nga Irani dëshmon se ky vend po synon të prodhojë armë bërthamore, pavarësisht se e mohon këtë.
Të hënën, Irani rifilloi pasurimin e uraniumit në 20 për qind, gjë që paraqet shkeljen më të madhe të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore. Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei, tha për mediat lokale se procesi ka nisur në uzinën nëntokësore Fordow.
Netanyahu tha në një deklaratë se ky veprim “nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë, përveç si realizimi i vazhdueshëm i qëllimit të Iranit për të zhvilluar një program ushtarak bërthamor”.
“Izraeli nuk do të lejojë Iranin të prodhojë armë bërthamore”, shtoi ai.
Izraeli, që besohet gjerësisht se është i vetmi vend që posedon armë bërthamore në Lindjen e Mesme, ka pohuar prej kohësh se Teherani po përpiqet të zhvillojë arsenalin e tij bërthamor dhe se kërkon shkatërrimin e shtetit hebre.
Netanyahu ka argumentuar gjatë dhe ashpër kundër marrëveshjes së vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit.
Në vitin 2018, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet, duke bërë që Irani të tërhiqte zotimet e veta.
Por, Bashkimi Evropian dhe nënshkruesit e tjerë – Franca, Britania, Gjermania, Rusia dhe Kina – e kanë mbajtur marrëveshjen gjallë.
Bashkimi Evropian paralajmëroi të hënën se lëvizja e Iranit për të pasuruar uranium në 20 për qind do të ishte një “largim i konsiderueshëm” nga angazhimet e Teheranit sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha Brukseli do të presë një konferencë nga drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore përpara se të vendosë se çfarë veprimi do të ndërmarrë.