Neziri: Kultura shqiptare e fshatrave shqiptarë në Veles, prioriteti ynë

Kandidati për deputet i BDI-së në njësinë zgjedhore numër 3, Bekim Neziri ka vlerësuar lart traditën e mikpritjes, bashkëpunimit, humanizmit, veshjet tradicionale dhe ruajtjen e gjuhës shqipe nga shqiptarët e fshatrave shqiptarë në Veles.

Marketing

Neziri ka vlerësuar se pak kush e ka mikpritjen si në fshatrat shqiptarë të Velesit.

“Banorët e kësaj ane i respektojnë parinë e tyre, intelektualët, mësuesit e hoxhallarët. Këta shqiptarë janë të ndershëm e të kulturuar”, tha Neziri, transmeton “Zhurnal.mk”.

Bekim Nezirin e ka mahnitur ruajtja e traditës shqiptare dhe i ka vlerësuar shumë shqiptarët e këstyre anëve të cilët kudo e kanë mirëpritur shqip dhe e kanë dhënë besën e tyre për mbështetje.

“Banorët e fshatrave shqiptarë me fanatizëm kanë ruajtur traditën e veshjes tradicionale, e sidomos gjinia femrore, kanë ruajtur traditën e dasmave dhe fejesave si dhe veshjet e veçanta gjatë dasmave. Shqiptarët e Velesit e kanë ruajtur edhe traditën e mikpritjes dhe nderit që i bëhet mysafirëve në këtë vend”, tha Neziri.

Shqiptarët e Velesit si pjesë përbërëse e trungut shqiptar e kanëruajtur traditën e dhënies bukë, çdo udhëtari apo mysafiri, i cili ka kaluar nëpër ato troje.

Shqiptarët e Velesit kanë ruajtur traditën e bashkëpunimit, respektivisht ndihmesës mes veti në të gjitha punët, sidomos gjatë ndërtimit të shtëpive dhe objekteve tjera.

“Shqiptarët e këtushëm i vlerësoj shumë lart sepse e kanë ruajtur traditën e humanizmit. Edhe pse ky popull vazhdimisht është ballafaquar me varfëri, sa herë që ka kërkuar nevoja janë solidarizuar me vendet tjera. Unë iu jam shumë falënderues sepse ata dhanë kontributin e tyre edhe me ndihmat e mbledhur në vitin 2001 për vendet e prekuara nga konflikti,por këta burra të ndershëm e dhanë edhe kontributin e tyre të lartë për luftën e Kosovës”,tha Neziri.

Edhe pse shqiptarët e Velesit janë në pjesën më lidnore të trevave shqiptare ata sërish e kanë ruajtur gjuhën, zakonet dhe traditën shqiptare, prandaj në këto zgjedhje janë të vendosur që për herë të parë të zgjedhin një deputet shqiptarë i cili do t’i përfaqësojë ata në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Bekim Neziri ka premtuar se BDI do realizojë projekte të shumta në kultivimin e vlerave dhe kulturës shqiptare në këto zona.

“Çiftelisë i janë rrahur telat gjithmonë nga shqiptarët e Velesit, prandaj edhe më tutje do t’i mbështesim e motivojmë ata që t’i ruajnë zakonet shqiptare. Planifikojmë që të hapim qendra kulturore,ku shqiptarët e Velesit do të kenë mundësi të shprehin talentin e tyre në këndim, vallëzim dhe luajtjen e instrumenteve shqiptare. Veshja e tyre karakteristike dhe këngët e tyre do të jenë pjesë e gjitha festivaleve kombëtare në të gjitha trevat sgqiptare, por edhe festivaleve ndërkombëtare”, tha Neziri.

Shqiptarët gjithandej ku jetojnë duhet t’i njohin sa më shumë vlerat finsike të popullit që më së shumti ka vuajtur nga presionet maqedonase në të kaluarën.

“Ata shqiptarë janë autoktonë dhe në trojat e tyre, prandaj është shumë e rëndësishme për ne që ata të integrohen sa më shumë brenda trungut shqiptar. Nga këto treva gjithmonë ka pasur zëra të bukur dhe humanizëm, por pak është dëgjuar zëri i tyre. Bashkë me mediat shqiptare duhet të punojmë sa më shumë në promovimin e vlerave të larta të këtyre shqiptarëve”, tha Neziri.

Vlerat e shqiptarëve të Velesit kanë histori të gjatë dhe zënë vend të rëndësishëm në kulturën dhe traditën shqiptare, por presionet e vazhdueshme dhe lojërat e partive maqedonase kanë bërë që zëri i tyre të jetë i zbëhetë.

“Tani është koha që karakteristikat dhe vlerat humane të këtyre shqiptarëve të dalin sa më shumë në dritë e të zënë vendin e merituar në hartën e vlerave kombëtare shqiptare”, tha Neziri.