Prej më 1 janar, tregtarët në tregjet e gjelbra duhet të pajisen me licenca adekuate për të cilat duhet të paguajnë nga 60 euro.
Nga Oda e tregtarëve të cilët do të bëjnë pajisjen me licenca për shitësit nëpër këto tregje, theksuan se ligji i cili duhet të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm është lehtë i implementueshëm, por apeluan palët që do të përfshihen në këtë proces të mos pengojnë implementimin e këtij ligji.
“Unë mendoj që ky ligj është fantastik, por në implementimin e këtij ligji mund të hasim në problem gjatë muajve në vijim, por për të mirën e shitësve dhe të vetë organizatorëve të tregjeve duhet të bashkëpunojmë në aspektin e dhënies së informatave për numrin e tezgave që dispojnë, pasi në bazë të atyre numrave do të bëhet shpërndarja e licencave”,- theksoi kryetari i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek.
Nga Oda sqarojnë se pamundësia e marrjes së licencave për pensionistët pamundësohet nga Ligji për marrëdhënie pune.
“Ligji për tregjet e gjelbra nuk është ai që ndalon pensionistët të shesin nëpër tregje por këtë e ndalon ligji për marrëdhënie pune. Dhe realisht kemi pasur edhe ankesa vazhdimisht nga vetë pazarxhinjtë se pensionistët i shohin si konkurrent jolojal nëpër tregje”,- tha kryetari i Odës së Tregtarëve, Ekrem Dolek.
Nga Oda e Tregtarëve njoftuan se në takimin e ardhshëm që do të kenë me kryeministrin Zaev do të kërkojnë të formohet trup operativ i cili do të luftojë shitësit e egër, të cilët pengojnë punën e tregjeve të gjelbra.