Nga Akademia Ushtarake në Presidencë, profili politik i Bujar Nishanit

U nda sot nga jeta në moshën 55- vjeçare ish-Presidenti Bujar Nishani. Gjendja shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit me COVID-19. Ai u transportua drejt një spitali në Gjermani, ku ndërroi jetë.

Marketing

Kush ishte Bujar Nishani
Bujar Nishani ishte një nga personalitetet e rëndësishme politike në Shqipëri pas viteve 1990. Ai lindi më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit, ndërsa studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n. Nishani rikthehet në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes ndërsa në vitin 1997 punoi si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Sa i takon karrierës politike në vitin 1991 Nishani u anëtarësua në Partinë Demokratike. Në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën. Më pas në korrik të vitit 2005, Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm ndërsa nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Në 24 korrik 2012, zoti Bujar Nishani u betua në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës./