Nga e mërkura, mbi 50 produkte ushqimore me “çmim të garantuar”!

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi informoi sot se është marrë vendim që, të gjitha çmimet e produkteve ushqimore që nga e mërkura do të shiten më lirë, do të kenë një shënim, ku do të theksohet çmimi i garantuar.

Marketing

Ai tha se, ky vendim është marrë pas analizave dhe diskutimeve që janë bërë me odat ekonomike dhe tregtarët. Lista e prodhimeve për të cilat do të ketë ngrirje të çmimeve ka përfudnuar dhe të martën do të dorëzohet në seancën e Qeverisë.

“Çdo konsumator kur të shkojë në supermarket do të ketë mundësi të shohë shënim ku do të potencohet çmim i garantuar dhe do të dihet se me çmimet që do të jenë me këtë shënim, nuk do të mund të ketë rritje më të lartë deri në 30 nëntor. Gjithashtu është edhe nxitje për të gjithë tregtarët, por edhe prodhuesit e produkteve ushqimore që deri të mërkurën të paraqiten vullnetarisht në Ministrinë e Ekonomisë, nëse nuk janë përfshirë në vendimin që të ketë atë shënim dhe t’i ulin çmimet në mënyrë shtesë”, tha Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ministri paralajmëroi se, nga e mërkura do të fillojnë edhe kontrollet e përforcuara të Inspektoratit Shtetëror të Tregtisë, ndërsa po ashtu paralajmëroi edhe ligj të ri për praktikat jo të mira të formimit të çmimeve.

“Veç më është përgatitur zgjidhje e re ligjore për praktika tregtare jo fer, aty do të kenë mekanizma të caktuara edhe për dënime, por edhe për mënyrën se si nuk mund të keqpërdoret në pjesën e formimit të çmimeve në sektorin e tregtisë dhe ajo do të jetë me flamur evropian”, tha Kreshnik Bekteshi.

Nga e mërkura, produkte të caktuara ushqimore do të ulen minus 10 përqind nga çmimet e ekspozuara më 1 gusht në zinxhirët e marketeve. Vendimi i Qeverisë do të vlejë për tregtarët me shumicë dhe pakicë, si dhe për prodhuesit vendor./