Nga Higuain te Ronaldo; rikthehet klasikja e futbollit italian, Milan-Juventus

Krahasimi mes Milanit dhe Juventusit nuk do të pëlqehej nga kuqezinjtë në këtë kohë. E megjithatë, përballja mes tyre mbetet një klasike e shkëlqyeshme e kampionatit italian. Një sfidë, gjithmonë në modë. Sidomos pas merkatos së fundit në të dyja skuadrat. Leonardo Bonucci ka zhvilluar vetëm një sezon me Milanin dhe ka zgjedhur të kthehet, si një djalë plangprishës, te bardhezinjtë.

Marketing

Gonzalo Higuain, nga ana tjetër, ka bërë rrugën e kundërt, duke u veshur kuqezi, pas një periudhe të shkëlqyer dyvjeçare me “Zonjën e Vjetër”. Dy lojtarë të mëdhenj, megjithëse me nuanca të ndryshme, janë shkëmbyer në verë, për të ndikuar fatin e ekipeve të tyre përkatëse. Në këtë “ekuacion” mund të përfshihet edhe Cristiano Ronaldo, ardhja e të cilit te kampionët italianë e bëri të detyrueshëm largimin e argjentinasit. Sidoqoftë, për të dy, sezoni filloi në mënyrën më të mirë.

“Zonja e Vjetër” ka bërë një zgjedhje shumë specifike, duke siguruar shërbimet e lojtarit më të mirë në botë. Një çështje e fushës së blertë, por edhe e perspektivave të biznesit. Sepse Juventusi, në fakt, dëshiron të rritet në të gjitha drejtimet, sportivisht dhe ekonomikisht. Duke sjellë në shtëpi Cristiano Ronaldon, duke bërë investimin më të shtrenjtë në futbollin italian, presidenti Andrea Agnelli mbështet një strategji patjetër ambicioze.

Me pak fjalë, Juventusi ka përfituar nga një mundësi shtesë luksoze. Një vendim i marrë nga drejtuesit e klubit torinez, i cili automatikisht solli lamtumirën e “El Pipita”. E gjitha kjo, duke gjetur vështirësi të papritura përgjatë rrugës. Fillimisht mendohej se sulmuesi argjentinas mund të gjente një klub jashtë Italisë.

Çdo referencë për te Chelsea ishte thjesht e besueshme. Sidomos duke pasur parasysh uljen e Maurizio Sarri në stolin e “Blues”. Një projekt i pëlqyer nga të dyja palët, megjithatë, nuk rezultoi me “po”. Thuhet se ishte vetë presidenti Roman Abramoviç, i cili dha një opinion negativ ndaj sulmuesit, “duke e detyruar” ish-trajnerin e Napolit që të shfrytëzonte elementët në dispozicion. Mbi të gjitha, Alvaro Morata.

Nga këtu nisi zgjerimi i horizonteve, lindja e planit alternativ. Juventusi, pasi shpenzoi shumë për të sjellë CR7 në Itali, e kishte të detyrueshme praktikisht të gjente një formulë tjetër sistemimi për Higuain. Në lojë hyri Milani, që shfaqi interes për sulmuesin argjentinas. Leonardo e donte fort “El Pipita”, ndaj nisi operacionin e ngutshëm, i cili përfshiu në të Bonuccin dhe Caldara.

E megjithatë, Higuain nuk do të kishte dashur të largohej nga Juventusi. “Nuk kërkova të largohesha. Me ardhjen e Cristianos, drejtuesit donin të rrisnin cilësinë. Por, ata më thanë se nuk mund të rrija. Zgjidhja më e mirë ishte Milani. Pastaj, nëse klubi mendonte se kjo ishte gjëja e duhur, le të mbetet zgjedhja e tij. Në thelb, të gjithë thonë se ata më nxorën jashtë…”

Gjërat po shkojnë mirë për argjentinasin te kuqezinjtë: 7 gola në 12 ndeshje. Tashmë, ndeshja e së dielës është e shumëpritur për Higuain, kundër ish-skuadrës së tij. Në Torino nuk ka keqardhje. Cristiano Ronaldo u transferua te Juventusi për t’i dhënë një tjetër shtysë objektivit madhor të kampionëve italianë, që duan të fitojnë Ligën e Kampionëve.

Deri tani, portugezi ka pasur një paraqitje mbresëlënëse: 8 gola në 14 ndeshje. Numra të rëndësishëm, si për CR7 dhe “El Pipita”, që të dielën do të luajnë kundër njëri-tjetrit, duke përvijuar një sfidë personale brenda supersfidës totale, Milan-Juventus.