Nga kjo orë lëshohet për qarkullim autostrada “Arbën Xhaferi”

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të mërkurën mori pjesë në përurimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila u mbajt nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Marketing

Ministri Lekaj duke iu adresuar dhe uruar mirëseardhje zyrtarëve shtetëror e qytetarëve të pranishëm në këtë eveniment me rëndësi të madhe për ekonominë dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, tha se kjo autostradë e lidhë Prishtinën me komunat tjera dhe Maqedoninë Veriore, e i hapë rrugë Kosovës drejt lidhjes me korridorin 10.

Ministri Lekaj duke i falënderuar djemtë dhe vajzat që punuan në ngritjen e këtij gjiganti infrastrukturor, tha se me dhembje kujtohen edhe ata që fatkeqësisht humbën jetën në punë. Ai deklaroi se puna e qeverisë dhe MIT-së nuk përfundon këtu, por me jetësimin e “Autostradës së Dukagjinit”, e cila pritet të fillojë së ndërtuari këtë vjeshtë. Ky përkushtim shërben si dëshmi se Qeveria Haradinaj do të vazhdojë të dëshmojë se punon për mirëqenien e qytetarëve, duke e lidhur Kosovën me familjen evropiane.

Të gjithë personalitetet e pranishme në këtë përurim, e vlerësuan këtë autostradë si vlerë të lartë të arkitekturës infrastrukturore.

Autostrada “Arbën Xhaferi” është e gjatë 65.5 kilometra dhe krahas “Bechtel & Enkës”, kanë punuar edhe 900 kompani vendore me gjithsej 9449 punëtorë, duke u bërë gjenerues i vendeve të punës për 5 vite me radhë. Kjo autostradë ka urën më të gjatë në rajon me gjatësi prej 5.7 kilometra.

Autostrada “Arbën Xhaferi” do të lëshohet për qarkullim të lirë rrugor, sot prej orës 17:00.​

Marketing