Nga nesër deri më 16 korrik faza portokalli, rekomandohet që kategoritë më të rrezikuara të lirohen nga puna

Nga nesër deri të dielën i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut do të preket nga temperaturat e fazës portokalli (alert) dhe për këtë arsye po merren masa dhe rekomandime për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta për katër ditë, deri më 16 korrik, përkatësisht deri në vendimin e ardhshëm.

Marketing

Siç njofton shërbimi për shtyp i qeverisë, Qeveria në seancën e sotme ka shqyrtuar informacionin nga Ministria e Shëndetësisë për temperaturat e larta që priten në katër ditët e ardhshme dhe ka miratuar rekomandimet përkatëse.

Në fazën portokalli do të hyjnë të gjitha rajonet në vend: Shkupi, Osogovë-Malesheva, Pellagonia dhe Ohër-Prespa.

Nga nesër do të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, sipas Planit të Veprimit të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës.

Sipas asaj që u miratua, Qeveria rekomandon: lirimin nga detyrimet e punës të grupeve më të rrezikuara të popullsisë, si gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00.

Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetëm, të moshuar, të dobët dhe të pastrehët.

“Duke e marrë parasysh se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për respektimin e rregullave ligjore në këtë fushë”, thuhet në kumtesë.

Qeveria vendosi që autoritetet shtetërore, ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet. Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës në mënyrë që punëtorët të mbrohen nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

“Të gjitha subjektet juridike që kryejnë veprimtari në natyrë, të ndërpresin veprimtarinë në periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00, e kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit. Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës nga ora 07:00 deri në 17:00, në mënyrë që të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00”, thuhet në kumtesë.

Qeveria thekson se organet kompetente monitorojnë në vazhdimësi situatën lidhur me temperaturat e motit për të ndërmarrë sa më shpejt masat e duhura për mbrojtjen e qytetarëve.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale apelon për shtim të kontrolleve nga Inspektorati Shtetëror i Punës kompetent.