Pothuajse pas një dekade nxënësit shqiptar të arsimit fillor do të mësojnë lëndën e Arsimit Muzikor nga autorë shqiptarë. Përmbajtja e teksteve të reja shkollore thuhet se do të përfshijë historinë dhe vlerat e muzikës shqiptare si dhe biografinë dhe veprën e shumë artistëve të njohur shqiptarë.
Këtë e bëjnë të ditur nga Shoqata e pedagogëve shqiptarë të muzikës, anëtarët e së cilës ishin pjesë e komisionit që punoi në ndryshimin e plan programeve muzikore. Tekstet e reja muzikore pritet të vihen në përdorim nga viti I ardhshëm shkollor.
Programi mësimor që tashmë është e bërë nga klasa e gjashtë deri në atë të nëntën do të jetë e posaçme për të gjithë qytetarët që jetojnë në Maqedoni. Kur do të përkthehen tekstet shkollore, flas konkretisht për gjuhën shqipe aty do të jetë koncentrimi i madh te autorët shqiptarë, këngët shqiptare, historia e muzikës shqiptare, vlerat artistike shqiptare. Ne me programet mësimore kemi mbaruar këtë javë, presim vetëm sinjalin nga ministri që të firmosë dhe pastaj do të ketë konkurs publik – tha Florim Zulfiu, Shoqata e pedagogëve shqiptarë të muzikës.
Botimi i teksteve të reja muzikore duhet të përmbyll problematikën dhe vështirësitë me të cilat përballen mësimdhënësit gjatë zhvillimit të orës muzikore. Ata kujtojnë se tekstet për paralelet shqipe janë diskrimunuese për shkak se të njëjtat janë të përkthyera nga maqedonisht në shqip, ndërkohë që të gjithë autorët e teksteve shkollore janë maqedonas.
Kur do të hyjmë në thelb të zhvillimit të një kënge, qoftë ato fëmijërore, popullore, zbavitëse e të tjera që parashihen në plan program atëherë kemi ngecje edhe në aspektin ritmikor po edhe në aspektin notal, edhe në aspektin gjuhësor. Për shembull “Ne go prodavaj Kolo duqanot” “Mos e shit o Kolo dyqanin”, në aspektin e rrokjeve nuk përgjigjet në ritmin muzikor, s’po flas për vijën melodike. Mirë është të dimë edhe këngë maqedonase, nxënësit tonë do të jenë më të begatshëm por ama e jotja është e jotja kur kemi autorë dhe kompozitor – tha Agim Ismaili, mësues.
Për momentin, mësuesit e muzikës punojnë me tekste të ndryshme nga autorë të ndryshëm shqiptarë. Ndërkohë, ato të parapara më plan programin e Ministrisë së Arsimit përdoren vetëm gjatë orëve kur mësohet për instrumentet muzikore dhe muzikën botërore.