Dy javë prej se u arratis dhe u kthye, mbetet ende e panjohur se si Sasho Mijalkov u zhduk para syve të policisë. Pasi askush nuk e dinte se ku ishte për 40 orë, ai u paraqit vetë në Prokurori për ta marrë vendimin për arrest shtëpiak, megjithëse kërkohej me urdhërarrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. 14 ditë pas kthimit të Mijalkovit, Kryeministri Zoran Zaev sot tha se detajet e arratisjes i ka prokuroria, ndërsa dy javë më parë tha se me intervenimin me vendosmëri të institucioneve, e kishin detyruar atë të hiqte dorë nga ikja dhe fshehja.
Pyetëm në Prokurori se çfarë kishin bërë në dy javët e fundit. A e kishin thirrur ata Sasho Mijalkovin për të dhënë deklaratë në lidhje me rastin. A është marrë deklaratë nga Ministrat e Drejtësisë dhe Policisë dhe Prokurorja Vilma Ruskovska. Prokuroria për dy javë na dërgon të njëjtat përgjigje.
Po ndërmerren veprime intensive dhe janë lëshuar më shumë urdhra, që të sigurohen dëshmi për vepër eventuale penale. Por, për të mos e dëmtuar procedurën, Prokuroria nuk është në gjendje të ndajë më shumë detaje, derisa ti marrë gjetjet fillestare konkrete nga kontrollet e bëra – njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Sasho Mijalkov është në paraburgim, që nga 26 shkurti pasi u dënua me 12 vjet burg për përgjimet masive. Një nga veprat e tij, ndërkohë, u vjetërsua dhe dënimi i tij u ul për tre vjet. Tani për tani, nuk ka përgjigje se si Mijallkov u zhduk, dhe u kthye me shpjegimin se nuk u arratis, por u izolua sepse ka dyshuar se mund të ishte sëmurë nga korona, edhe pse vjeshtën e kaluar ishte infektuar me koronavirus.