Ngecje në pagesën e rregullt

Pagesat ndërmjet kompanive, por edhe ndërmjet biznesit dhe shtetit në Maqedoni shënojnë përmirësim, por megjithatë akoma ka ngecje në pagesën e rregullt të borxheve të ndryshme në shtet. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë, sipas të cilave në muajin shtator të vitit 2018 ka pasur 42.556 llogari të bllokuara të firmave në raport me 54.876 firma të bllokuara dy vite më parë. Me fjalë të tjera në periudhën shtator 2018 – shtator 2016 është ulur për 10 mijë, numri i llogarive të bllokuara të kompanive private në shtet. Gjithashtu, edhe të dhënat e tjera të Bankës Qendrore tregojnë se shënohet zbutje e këtij problemi, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Raporti për stabilitet financiar i Bankës Popullore të Maqedonisë tregon se është ulur prej 122 ditë në vitin 2016, në 109 ditë në vitin 2017, koha e nevojshme për pagesën e borxheve të ndryshme.

Nga ana tjetër, të dhënat për pagesën e borxheve në shtetet perëndimore tregojnë afate shumë më të shkurtra të shlyerjes së borxheve se tek ne. Në Gjermani për pagesë pritet nga 25 ditë në mesatare në Austri pritet 34 ditë, në Francë pritet 42 ditë, në Greqi pritet afër dy muaj, ndërsa në Itali pritet 85 ditë.

Në ndërkohë, afaristët thonë se vonesat në pagesën e borxheve janë edhe më të gjata seç tregon statistika zyrtare, ndërkohë që zbutja e kësaj gjendje sipas tyre mund të pritet vetëm përmes përmirësimit të ambientit të përgjithshëm ekonomik në Maqedoni.

Vite me radhë në Maqedoni, përkundër dispozitave ligjore që përcaktojnë pagesën në afat prej 60 ditësh, borxhet ndërmjet bizneseve paguhen edhe deri katër muaj apo 120 ditë. Për këtë shpesh kompanitë marrin edhe borxhe nga banka apo mbajnë likuiditetin me kredi të reja bankare që e tregojnë edhe të dhënat për muajin dhjetor , apo rritja në nivel mujor prej 4.1 për qind dhe rritja në nivel vjetor prej 4,5 për qind e kredive të biznesit që në një pjesë të konsiderueshme shfrytëzohen edhe për pagesën e borxheve.

Në frymën e marrëveshjeve dhe respektit për njëri tjetrit, partnerët e biznesit rrallë ngrenë padi .Mirëpo nga komuniteti i biznesit thonë se në praktikë për ta problem më i madh janë borxhet që kanë institucionet shtetërore ndaj tyre, bile të vjetra edhe me vite.

“Në rast se nuk kemi një situatë kur do të pastrohej me borxhet e ndryshme që në parim janë të ndërmarrjeve publike ndaj komunitetit të biznesit, atëherë mund të lihet hapësirë që edhe më tej të funksionojnë kompanitë me llogari të bllokuara përmes kompensimeve të ndryshme, jo vetëm deri në fund të vitit 2019, por deri në anëtarësimin e shtetit në BE”, thotë konsulenti Goran Rafajllovski.

Nga ana tjetër, raporton KOHA, afaristët në pritje të përmirësimit të biznes ambientin si rrjedhojë e proceseve të avancuara euro integrues, thonë se pagesa është e ndryshme në varësi prej çdo klienti veç e veç , ku disa janë më të rregullt në pagesa , ndërsa të tjerët vonohen dhe paguajnë me kompensime apo me huazime nëpër banka.
Ndryshe, përmirësimin e likuiditetit apo disponimi i “keshit” në vitin 2019, pritet ta ndihmojnë edhe shlyerja e 51 për qind të borxheve nga ana e qeverisë ndaj komunave. Me rebalancin e fundit u siguruan 3.2 miliard denarë, apo afër 48 milion euro, mjete që do t’ju shpërndahen 85 komunave në Maqedoni për larjen e borxheve. Nga ana tjetër, kthimi i Tatimit të Vlerës së Shtuar për kompanitë në deri në muajin nëntor të vitit 2018, ka qenë afër 308 milionë euro, që është për 18 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2017, që gjithashtu do të ndihmojë likuiditetin e biznesit. (koha.mk)

Marketing